fbpx
Shqiptarët

Shqiptarët kanë dëshirë t’i largojn vajzat, e t’i lirojnë dhomat për nuset e djemve, të cilat, do t’i “duan” si vajzat e tyre!


Shqiptarët kanë dëshirë t’i largojn vajzat, e t’i lirojnë dhomat për nuset e djemve, të cilat, do t’i “duan” si vajzat e tyre! – Në fillim jeni mërzitur shumë pse Zoti ua fali vajzat. U pajtuat me fatin “e keq”, me shpresë se shumë shpejt do ta “gjeni” një djalë, që do ta trashëgojë varfërinë tuaj. Nuk besoj se ka mashkull shqiptar që lutet t’ia falë Zoti një vajzë (as katolik, as musliman, as ortodoks, as budist, as shaman, as ateist, as edhe budallai ma i madh) nuk ka dëshirë të ketë vajza, por ka dëshirë, dhe lutet që të ketë djem. Vajza e vogël e ka një derë në shtëpinë e babës, derisa nuk flet, nuk di, nuk del me shoqe e me shokë, derisa i kryen punët e shtëpisë. Drama fillon kur vajza fillon të bëhet e madhe. Baballarët shqiptarë (shumica absolute) kujtojnë që vetëm ata kanë dëshirë të madhe (luten nat e ditë) që t’i heqin qafe vajzat e tyre të rriturra, t’i shohin me sytë e tyre duke dalë njëherë e përgjithmonë nga shtëpitë “e tyre”, dhe t’i lirojnë dhomat për nuset e djemve të tyre, të cilat, një ditë, do t’i “duan, si vajzat e tyre”. Ju nuk i keni pyetur asnjëherë, e vajzat tuaja nuk ju kanë treguar, se dëshira më e madhe e vajzave tuaja është të ikin nga Ju. Nuk ka dëshirë më të madhe një vajzë e rritur, sesa të largohet nga prindërit e saj, të largohet nga Ti. Nuk ka ideal dhe ëndërr më të madhe për një vajzë sesa të pavarësohet nga prindërit e saj. E, nevoja e vajzës për t’u larguar nga shtëpia e prindërve të saj, bëhet shumë e madhe, atë ditë kur mbaron shkolla e mesme! Pasi kryhet mbrëmja e maturës, kthehesh natën vonë në shtëpi, me një gropë në zemër, i gjen të gjithë fjetur, ty askush nuk të pret, e zhvesh fustanin solemn, i pastron sytë nga buzëkuqi, e shikon veten në pasqyrë, dhe ndjen thellë-thellë se në shtëpinë e rinisë tënde ti më nuk përket. Pas asaj dite, sa herë flet me ndonjë djalë në telefon e të duket se e ka hetuar babai yt se diçka po pshtjell-ti ndjehesh keq. Sa herë kthehesh në shtëpi nga mbrëmja me miq- ndjehesh keq. Nuk e ka spjeguar asnjë babë. Ku me ditë çfarë ndjenje është ajo e një babai, (ndjenjë neverie po se po), kur e sheh vajzën e tij të lirë që del me të dashur, e ai pyetet pse në vend se ajo të shkoj pas takimit me të dashurin e saj në shtëpinë e tij, ajo argëtohet me të dashurin e saj, e pastaj kthehet në shtëpinë e babës së saj. Ti e sheh, e ndjen, e di, se më nuk përket aty. I dëgjon të bëjnë plane bashkë, për tokën që do ta shesin-ti nuk përfshihesh në hise. I sheh duke bërë plane t’i ndajnë dhomat e shtëpisë së re-ty nuk të përmendin. Ti nuk përket më aty. Duhet të largohesh nga shtëpia e fëmijërisë. Nuk gjen punë, nuk gjen burrë, nuk dashuron njeri, nuk di kah ia mban. Duke pritur të largohesh nga shtëpia e prindit, ngushtohet dhoma jote. Nga dhoma e fjetjes, ta bëjnë një vend në salonin (dhomën e ndjejës), që është ngjitur me kuzhinë. Nuk ka ditë që nuk të zgjon ajo era e keqe e supës së lirë. Prandaj, ti gjithmonë zgjohesh e para. Ti je e tepërt. E ndjen! E sheh! E din! Shtëpia mbushet me fëmijë. Martohen vëllezërit, shtohet shtëpia. Sa më shumë njerëz në një shtëpi, aq më pak dashuri. Ata të duan ty, ta duan të mirën, luten për ty, duan që ti ta gjesh një burrë, ta krijosh familjen tënde, e jo ta kalosh kohën, duke i konsideruar fëmijët e tyre, si fëmijët t’u. Ata të duan shumë, të gjithë meshkujt e familjes tënde të duan shumë, dhe nëse do të vinte puna deri aty, ata do ta jepnin edhe jetën për ty. Ama, të duan larg nga shtëpia “e tyre”. Sepse, ti më nuk përket aty. Ti duhet ta kesh shtëpinë “tënde”, kulmin tënd. Ku shkojnë vajzat e humbura, imzot! Të gjithë ata djem që t’i propozojnë, nuk të pëlqejnë. Ti e ke menduar ndryshe jetën tënde. Jo vetëm të gjesh një burrë, të lindësh fëmijë (për shkak se të gjithë dëshirojnë djem, edhe ti, nisur nga vetja, do të doje të të falte Zoti djem, jo vajza). Ti nuk ke dashur të jetosh në heshtje. Ke dashur të bëhesh spikere e Radio Prishtinës, të bëhesh astrologe, të shkosh në Paris, të shkosh në Sarajevë, ti e ke dashur një tjetër jetë. E ke gjetur një punë në një qendër tregtare. Sepse, je simpatike dhe e pagojë. Punon shumë. Nuk të lejojnë të ulesh, nuk të lejojnë të flasësh me njerëz. Rrogën ta japin “kesh”, derisa ti nënshkruan një kontratë “të madhe”, rrogën e merr “të vogël”. Kur bie terri, kthehesh në shtëpinë e babës. Për t’u hyrë familjarëve në qejf, për ta arsyetuar ekzistencën tënde në mesin e tyre, për t’u bërë e dobishme, dhe e rëndësishme për ta, ti e shpenzon krejt rrogën, muaj për muaj ua heq harxhin e bukës, dhe rrymën ua paguan. Kujton që e blen dhe e tjetërson nevojën e tyre të të kenë larg nga shtëpia. Ku përket ti? Ku është vendi yt? Kastaneda ia ka thënë të vërtetën “Don Juanit”: Kur lodhesh, e gjen vendin tënd. Kur, lodhesh, lëshon pe, heq dorë nga ëndrra jote, dhe pasi e sheh se sa prozaike dhe sa e trishtuar është jeta, atëherë e gjen një burrë real, si të gjitha shoqet. As shtëpia e tij, nuk bëhet e jotja. Ti e sheh çdo ditë se sa herë zemërohet me ty, ai me lehtësi ta tregon derën ah me dalë, derë që s’bëhet kurrë e jotja. Nëse ti vdes para burrit, e di shumë mirë se ai do të martohet, më së largu 1 vit pasi të shkosh ti në jetën tjetër. E nëse burri vdes para teje, nuk do të të lënë ty të ulesh e ta qash te koka e tij. Aty, te koka e tij e vdekur, e kanë vendin motrat dhe nana e tij. Të gjithë të tregojnë se ti e ke vendin te këmbët e tij. Tek varri i tij, ti nuk je ajo që përshëndetesh e fundit me të. I fundit përshëndetet me të, dhe ia lëshon një grusht dhe, dikush nga “familja” e tij, jo ti, që ia krijove familjen. Në pllakën përkujtimore të tij, përmenden emrat e të gjithë anëtarëve të familjes së tij, përveç emri yt, sepse dashuria jote nuk është e “sigurt”. Shtëpia e babait tënd-nuk është e jotja. Shtëpia e burrit tënd-nuk është e jotja. Të përzë. Nuk i dhimbsesh! Atij që nuk i dhimbsesh, nuk të do. Ti a e di se burrin nuk e ke kurrgjë dhe nuk i dhimbsesh. Dashuria është e lirë, nesër dashurohet në një tjetër Ti. Kur nuk e do dikë, çdo padrejtësi që e bën ndaj tij, të duket normale. Ti s’ke shtëpi. Ti kurrë s’do të kesh shtëpi, derisa nuk do ta ndërtosh shtëpinë tënde. Një kasolle me kashtë diku në Bolivi. Edhe në rastet kur femra ndihmon burrin e saj për të blerë shtëpi, në fund femra pranon që shtëpia “e saj” të jetë në emër të tij. Kaq patetike është femra. Dhe, kaq dëshprimisht ka nevojë për një hero, që e “shpëton” nga vetmia, duke mos e ditur se më i vetmuar sesa “heroi” duhet të jetë veç Zoti. Vërtetë, shqiptarët nuk i duan vajzat. As vet vajzat nuk e duan veten më shumë seç i duan djemtë. P.S. Kur ka lindur autorja e këtyre rreshtave, ka dëgjuar se kanë qarë me lot pse s’ka qëlluar djalë. I kanë treguar se ka lindur “e madhe”, 6 kilogramëshe, dhe kur e kanë parë të tillë “të madhe”, kanë marrë urdhër nga gjyshi i saj që menjëherë t’i fshijnë lotiët. Sapo ka dalë në këtë botë, e kanë veshur sikur të ishte “e rritur” dhe e kanë endur nëpër oborr. Autorja e këtyre rreshtave, e ka shtëpinë e saj, dhe si vajzë “e vogël” e ka lexuar romanin “Sikur të isha djalë”. Asgjë, bash asgjë s’ka ndryshuar nën këtë diell.