fbpx

O Zot merr hak mbi mua e jo mbi femijët e mi…!


E nderuar faqe , lexoj vazhdimisht historiat  e ndryshme në faqen tuaj  jo vetëm se më pëlqejnë, por edhe sepse përpiqem të gjej prehje për shpirtin tim. Nuk jam shumë plakë sa për të vdekur shpirtërisht, por kështu ndihem. Këto kohët e fundit, sidomos, nuk mund të ve gjumë në sy. Më ngjan sikur kam jetuar në ndonjë kamp përqendrimi. Ndoshta e ekzagjeroj me këtë lloj krahasimi, por nëse dikush do të më kishte bërë atë që bëra unë dhe ime motër, do ta kisha quajtur veçse një ushtar nazist.Historia jonë familjare është shumë e trishtë qysh nga fillimet e saj, për shkak të bindjeve politike të gjyshit e më pas, kundërshtimeve të vazhdueshme të tim eti, që na çuan në atë derexhe.Babai im ka qenë njeri shumë i drejtë, i paqtë, por nuk duronte dot ta trajtonin si i biri i armiqve dhe kundërshtonte vazhdimisht nëpër mbledhjet e famshme që bëheshin në lagje, apo në ndërmarrje, në punë. Kjo na çoi edhe neve në internim, përveçse gjyshi ishte në burg.Vuajtjet e prindërve të mi, fillimisht, qenë si të të gjithë bashkëvuajtësve të tjerë. Përbuzja, varfëria, lënia në harresë totale jo vetëm nga shteti, por edhe nga shoqëria, i shndërroi në njerëz të egër. Të katër ne fëmijëve, ata na kanë rritur në kushte shumë të këqija, pa ushqim mjaftueshëm, pa rroba dhe në shkollë qëndronim në banga të veçuara. Ishte shumë e dhimbshme, një fëmijëri shumë e trishtë. Dëshira për të qenë si të tjerët, të veshur, të ushqyer dhe që të pranoheshim në shoqëri, na detyroi mua dhe motrën e vogël që të tradhtonim çdo virtyt që prindërit na kishin mësuar. Ishim vajza të vogla dhe jo të gjitha gjërat i kuptonim se çfarë do të thoshin e çfarë pasojash mund të kishin. Mendoj se fatkeqësia jonë këtu filloi, te fakti që shfrytëzuan dy vajza të vogla që nuk e kanë idenë se si funksionojnë gjërat…Kur u rritëm, rrugën për në shkollë e bënim të katërt bashkë, jo vetëm se vëllai ishte më i madh dhe kujdesej për ne më të vegjlit, por edhe se asnjë fëmijë tjetër nuk rrinte me ne.Vëllai i madh ishte në vitin e katërt, unë isha në vitin e tretë të shkollës së mesme, ndërsa motra ime ishte në vitin e parë. Vëllai i vogël ishte në klasën e shtatë, por ai na priste gjithmonë neve për t’u kthyer në shtëpi, edhe pse ne mbaronim më vonë. Zakonisht, rrugës shihnim shumë njerëz, por ata nuk na flisnin. Vetëm dy gra në moshë filluan të na buzëqeshnin herë pas here kur na shikonin. Na dukej si diell ajo buzëqeshje, meqenëse askush nuk na i hidhte sytë, ndaj filluam edhe ne t’i përshëndesnim, pa ua ditur emrat. U thamë prindërve, por ata duke menduar se ato ishin gra e nuk kishte ç’të na ndodhte prej tyre, nuk u zgjatën që të pyesnin kush ishin.Unë dhe motra filluam ta bënim rrugën përkrah grave që na përshëndesnin e dy vëllezërit ecnin pranë nesh, por meqenëse muhabeti ynë ishte si për vajza, fustane e flokë të bukur, vëllai nuk na e vinte veshin se çfarë flisnim. Vazhduam kështu për rreth dy muaj; herë i takonim të dyja rrugës e herë njërën, bënin sikur kishin turne të ndryshme apo ndonjë pushim. Na kishin thënë që kishin njëra dy fëmijë e tjera tre, por nuk guxonim t’i pyesnim më gjatë, duke ditur që ne ishim “armiq”.Një ditë, njëra na ftoi të merrnim pjesë në një aktivitet që zhvillonte Fronti. Ishte aktivitet kulturor për gra dhe nuk do të kishte problem. Prindërit ranë dakord kur ne u thamë, sepse menduam që do ishim mes grave. Pastaj, edhe ne do të ishim të dyja bashkë dhe me të vërtetë që kishim nevojë të na flisnin e të na pranonin në shoqëri. Aktiviteti na ishte një koncert i Shtëpisë së Kulturës së qytetit dhe më vonë, disa fjalime të grave që ishin përfaqësuese të Partisë. Deri në atë moment, nuk kishte asgjë të keqe në këtë mes. Në një moment, njëra nga gratë që na kishte ftuar, më tha në vesh:– Ç’po thotë kjo gruaja mbrapa? Si na qenka e pazonja shoqja Sekretare për të bërë punën që i ka caktuar Partia? E dëgjove? – më tha, por me një zë të egër që më trembi.– Nuk dëgjova gjë, – i thashë, – sepse e kam mendjen te shoqja që po flet në tribunë.– E kujt ia thua ti këto? Ti je më e re se unë! Kur e dëgjova unë që jam dyzet vjeçe, ti shtatëmbëdhjetë, e ke dëgjuar se s’bën, por do të flasim pasi të mbarojë ky fjalim.Nuk ia vura veshin kësaj fjalisë së dytë, sepse isha e sigurtë që nuk kisha dëgjuar gjë, pastaj mendova se do ta harronte pasi të rifillonte koncerti, do t’i pëlqente ndonjë këngë apo valle dhe kaq.Në fakt, këtu ishte gabimi im… Them “gabimi” e jo “faji” sepse isha shumë e re për të ditur manipulimet që një i rritur mund t’i bëjë një adoleshenteje. Sapo mbaroi koncerti, dy burra thirrën gruan që ishte pas nesh dhe mua e motrën më kapi “shoqja” jonë e rrugës. Në zyrën që na futën, pashë për herë të parë fytyrën e gruas që kishte qenë pas nesh. M’u duk e trembur, por s’po merrja vesh arsyen pse mund të trembeshin njerëzit nga ne. M’u kujtua pjesa jonë e biografisë dhe mendova që ndoshta e kishte nga frika që s’duhej të ishte ulur afër nesh. Mendimet m’i ndërpreu zëri i çjerrë e plot urrejtje i gruas që na kishte kapur për krahu:– Gjatë koncertit, ti the me plot gojën dhe plot urretje se shoqja Sekretare nuk mund ta bëjë punën e saj. Përveç kësaj, the që Partia nuk do që ta ndërtojë këtë kanal ujësjellës, se Partia jonë nuk e do popullin e vet dhe të gjitha këto i dëgjuan të dyja vajzat. Prandaj i mora, që të ta pohojnë tani, në moment.M’u tha pështyma, nuk po nxirrja dot asnjë rrokje sa nga ajo që kisha dëgjuar, sa nga shtrëngimi në krah. Motra filloi të qante, se ishte më e vogël.– Me thënë të drejtën, unë e kisha mendjen te fjalimi e më pas të koncerti dhe nuk dëgjova askënd të fliste… – arrita të artikuloja pas një shtrëngimi tjetër.– Kujt ia thua këto ti, apo do të thuash që unë jam gënjeshtare?! – më tha gruaja dhe pikat e pështymës së saj që m’u përplasën në fytyrë, gati ma nxorën stomakun në shesh. Dy burrat u ngritën në këmbë dhe ajo ngritje e vrullshme do të ishte “varrimi” im, për së gjalli. Në moment, fillova të flisja sërish e tmerruar, e trullosur; nuk di t’i përshkruaj me fjalë ato ndjenja.– Shoqja foli në fillim kur sapo kishte filluar fjalimi, këtë pjesë dëgjova, pastaj nuk kam dëgjuar asgjë tjetër! – thashë.– Epo, edhe unë për atë pjesë po them… – foli bashkëpunëtorja e sigurimit.– Në emër të popullit, je e arrestuar! – i thanë gruas që kishte qenë pas nesh gjatë koncertit dhe e morën për krahu të dy burrat.– Ejani, do t’ju përcjell për në shtëpi. – tha gruaja që na shoqëronte rrugës së kthimit nga shkolla dhe që na kishte marrë në koncert.Nuk e di se si kam ecur deri në shtëpi, nuk kam mundur as të flas, as të mendoj, nuk mbaj mend të kem bërë ndonjë gjë deri ditën që na thirrën në gjyqin që iu bë gruas që arrestuan. Kur arritëm në shtëpi, babait tim sa nuk i ra të fikët kur pa gruan që na shoqëronte. Ai e kishte njohur më parë se ç’monstër ishte ajo, por fatkeqësia e tij dhe e jona bashkë ishte që nuk kishin pyetur për emrat e grave që na flisnin.– Vajzat tuaja bënë një punë shumë të mirë sot, i kanë shërbyer Partisë me devotshmëri dhe do të shpërblehen për këtë. Shpresoj që edhe ju të vini mend nga kjo. Natën e mirë edhe ju vajza. Do të takohemi së shpejti.Do të ishte më mirë të kishim vdekur të dyja në atë moment sesa të detyroheshim të bënim atë çka bëmë unë dhe ime motër, por barra më e rëndë më ra mua sepse ime motër ishte më e vogël dhe quhej dëshmitare minorene, ndërsa unë që isha më e rritur, mund të quhesha dëshmitare e besueshme. Prindërit nuk dinin më çfarë të na thoshin, s’dinim të pranonim apo të kundërshtonim. Frika se mund t’i burgosnin të dy prindërit na detyroi që në gjyq të pranonim të gjitha çfarë u thanë nga hetuesi apo gjykatësi.Kjo nuk ndodhi vetëm një herë. Na thërrisin në gjykatë sa herë do t’u duhej të dënonin apo internonin ndonjë person. Ky tmerr vazhdoi edhe për tre vjet, derisa më në fund, me mua u dashurua djali i një komunisti. Nga tmerri i asaj se çfarë po bëja, nuk guxoja t’i hidhja sytë në pasqyrë për të parë veten derisa një djalë në rrugë më tha se isha shumë e bukur dhe se donte të takonte prindërit e mi. I thashë të fliste me prindërit e mi direkt, thjesht për ta larguar, por ndodhi mrekullia. Në darkë erdhi në shtëpinë tonë bashkë me babain e tij dhe u tha prindërve të mi që kishte kohë që më ndiqte, që i kisha pëlqyer dhe që ishte dashuruar me mua. Edhe babai i tij tha që ishte dakord që ne të fejoheshim.Babai im, qysh në fillim, i tha se ne kishim probleme me biografinë, por ai i tha se e dinte dhe se do të rregullonte gjithçka. Kështu, shumë shpejt, unë u fejova dhe u martova. Vjerri na ndihmoi jo vetëm që të mos na thërrisin mua dhe motrën për të dalë dëshmitare, por mua më ndihmoi të mbaroja shkollën e lartë me korrespondencë. Fillova punë zyre në një fermë, punë që ishte shumë komode për mua dhe me të vërtetë që askush nuk u gërric me mua. Ai me miqtë e tij arriti të zhdukte apo ndërronte emrat dhe firmat e mia e të sime motre që neve të mos na ekzistonte më emri në ato zyra. Jeta ime dhe e familjes së prindërve më pas rrodhi më e qetë. Nuk mund të them që ishim të barabartë me të tjerët, por ishte ndryshe. Vjerri im ishte jo vetëm komunist i zoti, por ishte edhe njeri i respektuar, shumë autoritar, por jo i lig. I kam shërbyer në pleqëri me shumë dashamirësi, sepse me të vërtetë bëri një mrekulli që na nxori nga ajo rrugë.Edhe pse sot i kam dokumentet e pastra ligjërisht, me vjen turp nga vetja për çka kam bërë, nuk gjej mënyrë t’u kërkoj falje katër personave që janë arrestuar me dëshmitë e rreme që dhashë unë e ime motër, nuk gjej prehje për shpirtin tim, edhe pse e kam bërë në një moshë shumë të re për të kuptuar. Shpresoj që Zoti të marrë hak mbi mua e jo mbi fëmijët e mi, për të këqijat që bëra në rini.