fbpx
Askush nuk më do sepse nuk jam e bukur , Më thojnë i ke këmbët si makarona dhe

Askush nuk më do sepse nuk jam e bukur , Më thojnë i ke këmbët si makarona dhe…!


Askush nuk më do sepse nuk jam e bukur , Më thojnë i ke këmbët si makarona dhe – Unë jam vajzë dhe si çdo femër tjetër dëshiroj që edhe unë të jem e paraqitshme dhe e bukur si shumë të tjera. Më pëlqen të admirohem në sytë e burrave apo të djemve të rinj, por për fatin tim të keq, shikimet e tyre ndaj meje nuk janë për bukurinë time, por ndoshta për keqardhje ndaj meje. Që në fëmijërinë time kam patur probleme me aneminë dhe gjatë gjithë kohës kam qenë shumë e dobët, jam aq e dobët sa nuk do t’ju gënjeja sikur t’ju thoja se duket sikur brenda rrobave që vesh është vetëm një shkop i hollë. Në fytyrë kam tipare shumë të rregullta dhe flokë të gjatë e të drejtë, por anemia ka bërë punën e saj tek unë; gjithmonë rri e verdhë në fytyrë. Kur nuk ka paraqitje, njeriu është gjithmonë i nënvlerësuar nga shoqëria; veshët e mi çfarë nuk kanë dëgjuar të thuhet, sidomos nga çunat.
Në një rast e dëgjova shokun tim të klasës kur unë isha në vitin e katërt të gjimnazit, teksa i thoshte shokut të vet: “Ajo i ka këmbët si makarona”. Ju nuk e besoni dot çfarë ndjesie u krijua në shpirtin tim. Atëhere, për herë të parë, kam dashur të helmoj veten time, por nuk e bëra një gjë të tillë pasi mendoja prindërit e mi e sidomos, nënën time. Ajo më rrinte gjithmonë pranë, dukej sikur ishte i vetmi njeri që e ndjente dhembjen time. Gjithmonë më mësonte se Zoti, kur na krijoi, na dha me vete edhe fatin tonë. Ajo më mësonte se në këtë botë ka njerëz që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, ka njerëz që janë të destinuar të qëndrojnë gjithmonë në karrige me rrota dhe prapë kanë kurajon të jetojnë, sepse jetën na e ka dhënë Zoti dhe vetëm ai e di kur na e merr. Ajo më inkurajonte gjithmonë duke më thënë: “Po njerëzit që janë të verbër, si duhet të veprojnë, sipas teje?”.Vitet kalonin, motra ime e dytë kishte dy vjet që ishte e lidhur me një djalë dhe nuk guxonte t’ua thoshte prindërve për faktin se ata nuk do të pranonin, ngaqë isha unë motra e madhe dhe duhet të fejohesha unë para saj, por isha 25 vjeçe dhe në familjen tonë nuk erdhi asnjë kërkesë për fejesë për mua. Kjo gjë më bënte të ndjeja shumë dhembje në shpirt. Edhe prindërit kishin filluar të bëheshin merak, derisa unë e mora iniciativën dhe u thashë se duhet të fejonin motrën e dytë pasi ajo tashmë ishte bërë njëzet e tre vjeçe, kishte vite e lidhur me atë djalin aty në fshat dhe nuk kishte më lezet që të rrinin akoma në atë gjendje. Babi nuk e pranonte këtë fejesë sepse e dinte që do të lëndohesha unë, po kjo bëri që motra të mos pyeste prindërit tanë dhe të bashkohej me djalin, ose siç thuhet ndryshe, iku me rrëmbim. Kur e mora vesh këtë gjë, lotët nuk më pushonin; gjithçka ndodhi vetëm për fajin tim. Për t’u ndjerë unë mirë, prindërit e mi ishin duke sakrifikuar jetën e motrave dhe unë nuk e doja një gjë të tillë. Ato kishin jetën e tyre dhe duhet të fejoheshin e te martoheshin sipas rregullave, ashtu siç bëjnë gjithë vajzat në këtë botë. Edhe tre motrat e tjera ishin duke u rritur dhe unë nuk doja që me to të ndodhte e njëjta gjë si me motrën e dytë. I thashë babit se nëse nuk i linte motrat të martoheshin ashtu siç e donte zakoni, atëhere unë do të ikja nga shtëpia. E dija se për ta unë isha dhembja më e madhe dhe e vetme, për ta, unë isha një plagë që nuk do të gjente shërim kurrë, derisa të më shikonin edhe mua të martuar si shoqet e mia.Që unë të mos vuaja në vetminë time si një njeri i pashpresë, im atë vendosi të më dërgonte në Tiranë në një kurs për kuzhiniere. Kursi ishte dy vjeçar. Një gjë të tillë babi ma tha ditën e ditëlindjes time. M’u duk sikur u hap një dritë edhe për mua. Atë ditë nuk po më zinte gjumi, për herë të parë në jetën time isha shumë e lumtur dhe e emocionuar. Në Tiranë jetoja me pesë shoqe në dhomë. Ato ishin në mosha të ndryshme, njëra ishte e martuar e me fëmijë, njëra ishte pesëdhjetë vjeçe, pasi aty ishim të moshave, qyteteve apo fshatrave të ndryshme. Fjetja jonë ishte brenda pagesës që kishim bërë për kursin. Atyre, që në momentin që më panë, u bëri përshtypje fiziku im dhe filluan të më jepnin këshilla se si duhet të kujdesesha më shumë për veten që të mos isha aq e dobët. Në njëfarë mënyre, ato po kujdeseshin për mua që edhe unë të isha një vajzë me një fizik normal si gjithë vajzat e tjera, por unë e kuptoja në sytë e tyre se ndjenin keqardhje për mua. Ato kishin arritur deri aty sa ishin interesuar në doktorë të ndryshëm në lidhje me rastin tim. Sipas tyre, duhet të ndiqja një dietë ku baza të ishte mjalti, qumështi, vaji i ullirit dhe fruta-perimet. Ato gra m’u bënë si njerëzit e familjes, madje shpeshherë më blinin edhe banane me lekët e tyre sepse dëshironin që unë të filloja të bëja ndryshime. Edhe në mësim kur bënim praktikën, kolegët atje më thoshin: “Mundohu të ushqehesh mirë” dhe më linin pjesën nga ajo që kishim gatuar gjatë orës së mësimit. Si të thuash, në atë ambient gjeta një pjesë lumturie që nuk e kisha ndjerë më parë. Sa bukur është kur të gjithë të respektojnë dhe të shohin me dashuri e me ndjenjën e përkujdesjes! Një shoqja ime e dhomës, më tha se nëse do të isha martuar, trupi im do të kishte ndryshuar, por me kë të martohesha? Asnjë djalë nuk më shikonte me ndjenjën e dashurisë, por vetëm me ndjenjën e keqardhjes për mua. Një ditë, një nga shoqet e dhomës më pyeti: “A do ta merrje një burrë me fëmijë?”. Ia ktheva: “Pse jo? Ka shumë burra që kanë patur fatkeqësi në jetë, kjo nuk do të thotë se ata do të jetojnë vetëm”.
Atëhere ajo më tregoi për një kushëririn e saj, të cilit i kishte vdekur gruaja nga kanceri i gjirit. Që në momentin që më tregoi për këtë rast, fillova të emocionohesha shumë. Edhe pse personi për të cilin më foli shoqja kishte dy fëmijë, unë prapë e doja këtë lidhje. Mendoja se do të ishte njeriu i duhur për mua, mendoja se ai po kërkonte një njeri të mirë për fëmijët e tij dhe jo një femër të bukur, që të mos e kishte mendjen te familja. Deri në momentin që do të takoja atë person, unë pa e njohur fillova të thurja ëndrra për të, për fëmijët e tij dhe fëmijën tonë, nëse do të na jepte Zoti. Isha shumë e emocionuar! Ishte hera e parë që do të takohesha me një burrë për një qëllim siç ishte martesa dhe asnjëherë nuk e kisha patur një ndjesi të tillë; më dukej sikur atë person kisha filluar ta dashuroja pa e njohur fare. Ndonjëherë trembesha edhe nga mendimet e mia, nuk doja të krijoja iluzione në mendjen time për një njeri, të cilin nuk e kisha njohur akoma. Një javë rresht nuk më zinte gjumi, vetëm mendoja se si do të ishte jeta ime me të. Edhe ai ishte nga fshati, por kjo nuk më interesonte. E rëndësishme ishte të qe një njeri i mirë dhe të më trajtonte me respekt e me dashuri, ashtu siç do të bëja edhe unë me fëmijët e tij. Më në fund, erdhi edhe dita kur unë me T u takuam në një lokal në praninë e shoqes, e cila na prezantoi. Unë isha ulur në tavolinë me shoqen dhe isha duke pritur atë. Minutat po më dukeshin shekuj. Kur hyri te dera e lokalit, shoqja më tha: “Ky është!”. Një e dridhur sikur ma përshkoi gjithë trupin dhe më kapën emocione shumë të forta. Për momentin, m’u duk sikur trupi po më ftohej dhe më dukej sikur nuk isha në atë lokal, por në një botë tjetër. Ai u afrua drejt nesh, shoqen e përqafoi, ndërsa mua më dha dorën, madje m’u duk sikur as sytë nuk m’i hodhi. Në atë moment mendova se ai nuk më pëlqeu dhe fillova të ndjehesha shumë keq. Ata të dy nisën të bisedonin me njeri-tjetrin, ndërsa mua po më dukej vetja e tepërt aty. E ndjeja se sytë po më mbusheshin me lot dhe një inat i brendshëm më kishte mbërthyer të gjithën, po shpërtheja. U ngrita në këmbë dhe duke u kërkuar të falur, u drejtova drejt tualetit. Me të kthyer kurrizin unë, fjalët e tij më tingëlluan në vesh: “Unë të thashë të më gjeje grua dhe jo burrë”. Që në ato momente, lotët e mi nuk mbaheshin më. Mund t’ju them se ndenja në tualet gati një çerek ore duke qarë. Doja të mblidhja forcat dhe të shkoja në tavolinë, por e kisha të pamundur. Mbasi e mblodha pak veten, iu drejtova përsëri tavolinës. Shoqja u ngrit në këmbë dhe deshi të na linte vetëm, por unë e kapa nga dora dhe i thashë se më duhej të largohesha sepse më kishin telefonuar njerëzit e mi dhe duhet të shkoja atje. Ata të dy e kuptuan që kjo ishte një gënjeshtër, sepse sytë e mi ishin të përlotur, madje në një moment kuptova se që të dy ndjenë një lloj keqardhje për mua, por unë nuk isha bërë aq sa ata të më mëshironin. Shpirti im ishte i lendurë, por mbas atij takimi, u ndjeva akoma më e dërrmuar. E vetmja shpresë e imja u shua pa filluar mirë, ndërsa nga ana tjetër, më kapi një inat i madh dhe mendova se nuk do të lejoja më askënd tjetër që të tallej me mua!
Dhe në fakt, Zoti të mbyll një derë, por të hap një dritare. Edhe me mua kështu ndodhi. Mbas mbarimit të kursit, u vlerësova si një nga studentet më të mira dhe më propozuan të punoja në një hotel-restorant shumë të dëgjuar këtu në Tiranë. Kjo është dhurata ime më e bukur që më kanë bërë prindërit, por edhe Zoti që çdo ditë e më shumë më jep forcë që unë ta përballoj jetën time me forcat e mia, duke mos iu bërë barrë askujt. Askush nuk më do sepse nuk jam e bukur , Më thojnë i ke këmbët si makarona dhe