fbpx
Unë sot nuk festoj se s’mundem me u thanë fëmijëve t’mi se neser bahet ma mirë

Unë sot nuk festoj se s’mundem me u thanë fëmijëve t’mi se neser bahet ma mirë…


Sot s’më ban zemra me festu…Ndoshta pak t’çuditshme do t’ju vijnë këto fjalë kur t’i lexoni, veçse vetes i jam betu se kam me e thanë atë çka ndjej edhe kur ajo m’dhemb shumë…Sot, mua s’më ban zemra me festu. S’më ban, se veten s’mundem me e gënjy. S’mundem me thanë “Shyqyr që e arritme pavarësinë”, kur sot jena ma t’varun se kurrë ma parë. S’mundem me thanë “Shyqyr që e arritme lirinë”, kur sot jena ma t’robtum se kurrë ma parë. S’mundem me thanë “Shyqyr që e arritme krenarinë”, kur sot jena ma kokulun se kurrë ma parë. Na e kanë ul kokën mjerimi, varfëria, zullumi e tirania.Jo! S’më ban zemra me festu, kur unë e di se sa t’vështirë e kam me u thanë fëmijëve t’mi se nesër do t’bahet ma mirë për me jetu e për me punu n’kyt vend. E kam shumë t’vështirë për me u thanë se nji e ardhme e lulëzume i pret, kur brenda meje e ndjej se ai “lulëzim” mundet me qenë veç nji rrogë qesharake, me t’cilën ata as me mbijetu nuk kanë me mbijetu dot.E kam dasht kyt vend, prapë e du. Kjo asht edhe arsyeja se pse kam kalu plot 38 vjet të jetës teme n’kyt tokë, edhe pse kam pas shumë raste ma parë për me u largu prej saj. Por kam jetu gjithmonë me shpresë, gjithmonë me atë mendimin pozitiv, se dikur, gjanat kanë me ndryshu për mirë. Pikërisht prej këtij mendimi kam zgjedh për me i lind e për me i rrit edhe fëmijët e mi këtu. Me mendimin e shpresën se ma mirë do t’bahet.
E ky mendim e kjo shpresë e mirë kanë dalë gjithmonë mbi realitetin negativ që jetoj e dëshmoj çdo ditë. Mendimi e shpresa e mirë kanë dominu përherë mbi t’vërtetën që më ulëret përditë, duke më thënë se: këtu nuk jetohet. Këtu vetëm mbijetohet. E mbijetesa asht kob. Mbijetesa s’t’len as krenari, as dinjitet e as arsye për me e ngrejt kokën. E s’po flas për mbijetesë vlerash, jo. Pikëspari po flas për mbijetesë të trupit. Po flas për atë lloj mbijetese ku ti robtohesh tan muajin, e n’fund të tij, sigurisht nëse ke fat me e arrit fundin pa t’u shterru xhepat, ti numëron qindarkat që t’kanë mbet. Nuk po tregoj përralla. Ky asht realiteti i një famijeje shqiptare, i një familjeje mesatare shqiptare, për mos me fol për ekstremet përtej saj.
Jo, sot s’ma ban zemra me festu! S’ma ban kur e di se aty, do metra larg meje, mjerimi asht i ulun kamkryq e po pret me m’kaplu edhe mua sa ma shpejt. E unë, duke e pa atë n’sy, i iki me lendup, a thua se ashtu kam me shpëtu prej tij. Por sa arrij t’i iki n’jetën reale, ai gjen mënyrën për me m’u vërsul edhe n’atë virtuale.Mjerimin e shoh n’çdo postim frustrues a koment toksik që lexoj. E shoh n’çdo prirje që ne si popull kena për me e ul e për me e poshtëru tjetrin, qoftë edhe mbas nji ekrani.Sot, mjerimin e shoh n’çdo postim patriotik t’mbështjellë me ngjyra kuq e zi. N’çdo postim shoh shpresa t’kputme n’mes, andrrat t’lendume, atdhedashuri n’grahma. N’çdo postim shquaj sforcimin e madh për me shfaq atë që n’fakt nuk ndjehet.
Jam e sigurtë se shumica prej nesh, po t’na u bante pytja: “A kishe ik prej këtij vendi?”, do t’ishim përgjigj: “Po, qysh sonte!”Ndonëse vetë s’kam ik, unë s’mundem me i gjyku ata njerëz që zgjedhin për me ik çdo ditë prej këtij vendi. S’mundem, sepse e kam kuptu se idealet e atdhedashuria nuk t’japin bukë me hangër. Fëmijët nuk t’pysin për to kur t’kërkojnë me u vu ushqim n’sofër.“Do t’kisha dasht me ardhë me vdek n’vend tem”, m’tha nji familjari jem para do kohësh, mbas 20 vjetësh jetese n’emigrim.Po besa’, edhe unë do t’kisha dasht me vdek n’kyt vend. Do t’kisha dasht me e pas vorrin afër nanës e babës tem. Por përpara se me e pas dëshirën për me vdek n’kyt vend, unë do t’kisha dasht me e pas ma t’madhe dëshirën për me JETU n’të.E dua kyt tokë, e shpresën se ky vend ka me u ba, nuk kam me e humb. Se zaten, për këtë po luftohet, që ne ta humbasim çdo shpresë e krahëkëputun ta lëshojmë folenë. Por, nuk asht puna vetëm te lëshimi, sa ç’asht te harrimi. Disa ikin e s’e kthejnë ma kokën mbrapsht. Kjo asht e trishtë e s’duhet me ndodh. Edhe nëse e lëshojmë kyt fole, se ashtu mund të na detyrojnë rrethanat, prapë veten e fëmijët tanë duhet me i pa si kontribues për zhvillimin e këtij vendi. Tash e kurdoherë, fëmijëve tanë e kena për detyrë me u thanë: “Mësoni fort e bahuni njerëz t’mirë, se nesër e ardhmja e këtij vendi asht n’duart tuaja e padyshim që ka me qenë ma e mirë se e jona!”

Autore: Klodi Smajlaj