fbpx
Pas shum akuzave me la , Per te shkuar ne Gjermani

Pas shum akuzave me la , Per te shkuar ne Gjermani…!


Pas shum akuzave me la , Per te shkuar ne Gjermani – Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj, jam Ela. Ashtu si shumë gra dhe vajza, edhe unë rashë pre e një dashurie të humbur, vuajta, qava, madje desha edhe të sakrifikoja veten time për të, por Zoti është i madh, ai na bën që të reflektojmë dhe të kuptojmë se kjo jetë të rrëzon, por duhet të gjejmë forcën për të ecur përpara. Historia ime dhe e Landit filloi që në shkollën e mesme. Ne të dy vinim nga shkolla të ndryshme, por na bashkoi dëshira për të mësuar gjuhë të huaja, kështu që u regjistruam në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në qytetin tonë. Aty lindën edhe ndjenjat tona. Ai ishte një djalë shumë studioz, edhe unë po ashtu. Në fillim ishim shumë shokë dhe ndihmonim njëri-tjetrin në mësime, por kjo ndjenjë miqësie, siç ndodh në shumë raste, u kthye në një ndjenjë shumë të bukur, që vetëm një njeri i dashuruar mund ta kuptojë.Ndjehesha plot jetë dhe e shikoja të ardhmen tonë me shumë optimizëm. Midis nesh ekzistonte një ndjenjë shumë e pastër dhe aq e sinqertë, sa shumë nga shoqëria jonë na kishin zili. Shumë shokë dhe shoqe nga klasa jonë përjetonin një histori dashurie vetëm momentale, që nuk i rezistonte kohës, kurse me ne ndodhi ndryshe. Në fund të vitit të katërt, pikërisht në maturë, kur jetët tona do të merrnin drejtime të ndryshme, Landi më bëri një surprizë që as në ëndërr nuk e kisha parë. Në mbrëmjen e maturës, ndërsa kërceja me Landin, në lokal hyri një nga kamerierët me një tufë shumë të madhe me trëndafila. Për një moment të gjithë shtangën dhe po shikonin se kujt i drejtohej ajo tufë me lule. Të gjitha vajzat dëshironin të ishin protagoniste në atë mbrëmje, por më fatlumja isha pikërisht unë. Kamerieri me një ecje të qetë dhe serioz, m’u drejtua mua: “Këto janë për ty, nga një adhurues”. Unë kuptova se një ngjyrë e kuqe më ra në fytyrë, Landi më lëshoi nga krahët e tij dhe filloi të bënte xhelozin, duke me drejtuar dorën nga trëndafilat dhe duke më thënë: “Je e lirë t’i marrësh”. Unë, me një lloj frike dhe pasigurie, zgjata dorën dhe i mora. E gjithë shoqëria e kishte ndalur kërcimin dhe ishin drejtuar nga ne. Landi vazhdoi të më thumbonte me fjalët e tij: “Hape, hape letrën, të shohim se ç’është shkruar në të”. Ai po aktronte aq bukur saqë mua më zuri me të vërtetë frika se do të ndodhte diçka e keqe. E trembur e si një fëmijë naiv, zgjata dorën e mora kartolinën e vogël që ishte midis trëndafilave dhe lexova: “A dëshiron të fejohesh me djalin që ke në krah?”.Në fillim nuk po arrija ta kuptoja, a ishte kjo një kërkesë e vërtetë, apo ai dëshironte të më vinte në lojë, por nuk kaluan as disa sekonda dhe Landi nxori nga xhepi një kuti në ngjyrë të kuqe. Aty fillova të kuptoja se gjithçka që po më ndodhte ishte e vërtetë. E hapa kutinë dhe pashë një unazë floriri me një gur. Ato momente as vetë nuk di se si t’i përshkruaj, një ndjenjë e bukur më përshkoi gjithë trupin. Ishte një ndjenjë besimi dhe dashurie njëkohësisht. As që më kishte shkuar në mendje se ai donte t’i bënte gjërat familjare, asnjëherë nuk kishim biseduar për një gjë të tillë. Mendonim se ishte shpejt dhe kishim kohë për ta bërë lidhjen tonë serioze. Nga gëzimi kuptova se po më rridhnin lot, por pas disa sekondash e gjeta veten të përqafuar nga Landi dhe ndjesinë e një ëndrre të bukur ma prishën duartrokitjet e shokëve të klasës. Aty e kuptova se isha në jetën reale. Të gjithë filluan të na uronin. Atë ditë pashë se kishte edhe vajza që qanë nga ajo skenë. Ndoshta edhe ato e dëshironin një propozim të tillë, ndoshta ndonjëra mund të ishte edhe xheloze, nuk di të them me siguri, por ajo që di është se mbas asaj mbrëmje, jeta ime mori një drejtim tjetër.Unë u fejova me Landin, u regjistruam në shkollë të lartë dhe të dy morëm shtëpi me qira. Unë u regjistrova në Universitetin shtetëror të Tiranës për Anglisht, ndërsa Landi, në një universitet privat për Drejtësi. Çdo gjë shkonte shumë mirë dhe ne po jetonim vitet më të lumtura të jetës. Të dy studionim dhe punonim kur kishim mundësi, dukej sikur ne të dy ishim bërë për njëri-tjetrin dhe ishim më të lumturit në botë, por në këto momente më vjen në mendje një thënie e aktorit të madh Robert Ndrenika, i cili thotë se nuk ka lumturi në këtë botë, ka vetëm pika lumturie. Dhe në të vërtetë kështu është; pikërisht atëherë kur njeriu mendon se ka gjetur lumturinë, e humbet atë. Kështu ndodhi edhe me mua.Gjithçka nisi si një lojë, kur unë dhe Landi nisëm të shkonim në një lokal që ndodhej pranë shtëpisë sonë. Kishim kohë që pinim kafe aty, po një ditë ndodhi diçka e çuditshme për syrin tim. Kur dhamë porosinë, kafja ime nuk erdhi si gjithë ditët e tjera; në të ishte pikturuar një zemër. Si naive që jam, ia thashë Landit: “Paskan filluar të na shërbejnë zemra në kafe?!” dhe ai, me një buzëqeshje ironike, ma ktheu: “Zemrat janë për ty, se unë nuk kam!” dhe filloi të pinte kafen. E kuptova që nuk i erdhi mire. Ajo ditë kaloi ashtu në heshtje sikur ç’të kishte ndodhur. Ditën tjetër kafja ime erdhi përsëri me formën e zemrës. Hodha sytë nga kafja e Landit dhe ajo ishte normale. E kuptova edhe vetë që u prisha në fytyrë, edhe pse nuk doja ta jepja veten, për të mos ndezur sherr. E kapa filxhanin dhe fillova ta pija menjëherë, por Landit nuk ia hidhje dot. Ai vazhdoi me fjalët e tij thumbuese: “Pije avash se e prishe zemrën!”. Bëra sikur nuk e dëgjova sepse po t’ia ktheja, nuk e di se si do të përfundonte. Mbas asaj që ndodhi në lokal, po më dukej sikur gjërat sa vinin e ftoheshin midis nesh. Nuk e di nëse ishte vërtet shkaku kafeja që më sillte kamerieri, apo ndonjë gjë më e madhe se kjo dhe unë nuk dija si ta shpjegoja. Shumë mendime më vinin nëpër mendje. Landi çdo ditë këmbëngulte që të pinim kafe në të njëjtin lokal dhe përsëri ndodhte e njëjta gjë, por më habiste fakti se ai nuk debatonte me kamerierin për kafen që ai më sillte dhe kjo gjë më bëri të dyshoja. Një ditë në darkë filloi një debat i madh midis nesh. Landi për herë të parë kishte dyshuar në dashurinë time. Ai po më akuzonte se unë po flirtoja me kamerierin e lokalit. Kjo ishte çmenduri, e ndjeja se një gjë të tillë nuk e besonte as ai vetë, po nuk e dija se cila ishte arsyeja e vërtetë pse ai po kërkonte të ndahej me mua. Ai më akuzonte se unë nuk e doja më. Mbas asaj nate midis nesh nuk kishte më paqe, të dy ndiheshim të tensionuar, nervozë dhe nuk kishte më qetësi në shpirtin tonë.Ditën tjetër, kur u ktheva nga fakulteti, pashë se ai kishte marrë rrobat e tij dhe ishte larguar nga shtëpia. Ajo ka qenë dita më e trishtuar e jetës time. Nuk e kuptoja se si gjithë ajo dashuri u shua në atë mënyrë. Doja t’i shkoja deri në fund kësaj pune dhe të kuptoja se pse Landi hoqi dorë prej meje. Shkova përsëri në të njëjtin lokal, ia dhashë porosinë të njëjtit kamerier dhe çuditërisht, këtë herë kafja më erdhi normale, pa formën e zemrës në të. Atëhere i tregova djalit për gjithçka më kishte ndodhur dhe ai, i habitur, m’u përgjigj: “Unë nuk kam faj në gjithë këtë histori. I dashuri juaj më kishte porositur që sa herë t’ju sillja porosinë, në kafen tuaj të ishte një formë zemre, sepse donte t’jua bënte surprizë”. Nuk e kisha menduar se mashtrimi i Landit mund të arrinte në atë pikë.Lajmi për ndarjen tonë kishte arritur deri në familjet tona. Familja e Landit më akuzonte se unë e kisha tradhtuar djalin e tyre dhe prandaj ai më kishte braktisur, por më vonë e kuptuam se pse ai e kishte krijuar gjithë këtë lojë. Ai bashkë me një shokun e tij kishin vendosur të shkonin në Gjermani dhe ai nuk guxonte të ma thoshte mua, sepse e dinte se nuk do ta lejoja. Kështu, krijoi gjithë këtë histori duke më lënë mua me zemër të thyer dhe me një turp nga mbrapa. Familja ime më beson, por ajo e atij dhe sot e kësaj dite më akuzojnë mua për prishjen e kësaj fejese. Të gjitha ju vajzave që i besoni verbërisht të dashurit, te fejuarit, apo bashkëshortit, do t’ju këshilloja që asnjëherë të mos jeni kaq naive. Sot ka ikur koha e njerëzve të mirë, ata janë të dështuar nga të gjitha anët; sot është koha e njerëzve të pandershëm, intrigantë, të cilët nuk njohin kufij. Janë njerëz që të lendusin shpirtërisht dhe vetë dalin viktima, duke abuzuar me nderin dhe dinjitetin e një njeriu të pafajshëm.Unë sot e kam gjetur rrugën e jetës, kam filluar punë si përkthyese në Ambasadën Amerikane, ndërsa ai vazhdon të jetë në kampet e refugjatëve në Gjermani. Puna ka bërë që pak nga pak të më shërohen plagët që ai shkaktoi në shpirtin tim…Pas shum akuzave me la , Per te shkuar ne Gjermani