fbpx

Nënës së tyre ju mori jetën , E fëmijët e braktisen…!


Kam vendosur t’ju tregoj historinë e kunatës sime, e cila sot mbush 30 vjet që nuk jeton. Kur them për kunatën e kam fjalën për gruan e kunatit (vëllait të burrit tim). Sot, në tridhjetë vjetorin e vdekjes së saj, unë vendosa ta kujtoj duke shkruar në faqen  tuaj historinë që ajo përjetoi. Unë u martova në moshën 16 vjeçe, në një familje të madhe, ku të gjithë familjarët punonin në kooperativë. Kur u martova, gjeta vjehrrin, vjehrrën e kunatin, i cili ishte i martuar dhe dy motrat e burrit, të cilat u martuan më vonë. Familja në të cilën u martova, në atë kohë, ishte shumë e dëgjuar në fshat, sepse ishin njerëz të ndershëm që rrinin në hallin e tyre e nuk u binin më qafë të tjerëve. Kjo familje ishte shumë sedërtare dhe gjithmonë kishin egon që të ishin të parët e fshatit përsa i përket moralit dhe ndershmërisë, në punë, shoqëri e kudo, mirëpo e gjithë kjo ego sikur u venit me çfarë i ndodhi nuses së madhe, kunatës sime, për të cilën unë po shkruaj sot.Kur unë erdha nuse dhe e pashë atë, nuk di si t’ua shpjegoj mahnitjen; asnjë femër dhe asnjë Miss në ditët e sotme nuk barazohet me bukurinë e saj. Ajo kishte një ëmbëlsi në fytyrë, trup të gjatë dhe të bukur, flokët i kishte të zeza dhe sytë e zinj e të mëdhenj. Ajo nuk kishte nevojë të bënte tualet sepse natyra ia kishte dhuruar çdo gjë të bukur që një femër do të dëshironte për veten e saj, por jo gjithmonë, bukuria shërben për mirë te një njeri, kjo, sepse shumë njerëz janë ziliqarë dhe inatçinj, për një gjë që nuk e kanë. Kështu ndodhi edhe me kunatën time. Në kohën kur unë u martova, ajo ishte shoqja ime më e ngushtë, askujt nuk mund t’i hapesha për gjërat e mia përveç asaj. Ajo ishte dhjetë vjet më e madhe se unë dhe unë e doja shumë, më dukej sikur në atë familje vetëm ajo më donte. Edhe ajo ndjente ngrohtësi tek unë, sepse ia ruaja çdo sekret që më thoshte. Burrat tanë ishin shumë të lidhur me të ëmën e tyre ose vjehrrën tonë dhe bënin çdo gjë që ajo u këshillonte. Atë e shikonin si më të mirën, më të dashurën dhe më të zgjuarën e grave. Edhe ne, nuset e saj, duhet t’i bindeshim asaj me çdo kusht. Dhe në fakt, kështu bënim sepse nuk kishim zgjidhje tjetër. Në fillim, unë me kunatën time punonim në kooperativë dhe vija re se ajo ishte në qendër të vëmendjes, si nga meshkujt, ashtu edhe nga femrat. Nuk kish asnjë dyshim se ajo ishte e vetmja femër që bënte shumë figurë mes nesh. Edhe pse ishte nënë e tre fëmijëve, vazhdonte të ngjante si një vajzë e re. Mbas dy vjetësh që unë kisha ardhur nuse në atë shtëpi, në familjen e kunatit erdhi një letër nga kryetari i këshillit që ishte në atë kohë, ku i thuhej se ishte vendosur që gruaja e tij të punonte si kameriere në restorantin që kishte fshati ynë. Kunati e pa me shumë mëdyshje atë letër, por nuk kishte çfarë të bënte se në atë kohë do bëje atë që urdhëronin më të mëdhenjtë.Që prej futjes së kunatës sime në punë si kameriere në restorantin e fshatit tonë, për familjen e kunatit tim nuk pati më qetësi. Midis tyre filloi një xhelozi shumë e madhe dhe e gjitha kjo ndodhte vetëm nga llafet e njerëzve ziliqarë, që ngopnin barkun e tyre me thashetheme, vetëm e vetëm për t’u bërë keq të tjerëve. Fshati ynë ishte një fshat shumë i madh, kush nuk vinte në atë restorant për të ngrënë drekë dhe të gjithëve u mbeteshin sytë te kunata ime. Kështu filluan debatet dhe sherret ne familjen e tyre. Kunatit tim i vinin në vesh fjalë sikur gruaja e tij shkonte me kryetarin e kooperativës, prandaj edhe ai e futi në atë punë si kameriere, që për atë kohë ishte një vend që e lakmonin të gjitha femrat. Kunata më tregonte se kishte filluar sherrin me burrin e saj madje ai kishte arritur deri aty sa kishte përdorur edhe maltretimë ndaj saj. Ajo vinte dhe qante tek unë, duke m’u ankuar se xhelozia e tij po shkatërronte familjen e tyre. Sherri mes tyre bëhej edhe më i madh kur ndërhynte vjehrra, e cila jetonte me mua, por nuk i rrihej pa futur hundët edhe në jetën e kunatit të madh. Ajo ndërhyri deri aty sa i tha të birit: “Ndaje këtë grua, se nuk është për shtëpinë tonë” dhe ai ashtu bëri. Sherri i tyre arriti kulmin, sa ai i dha me vete të tre fëmijët dhe e përzuri gruan me lot në sy nga shtëpia. Ajo shkoi të jetonte te prindërit e vet për dy muaj, mirëpo në atë kohë, ishte partia që ndërhynte në çdo problem familjar, kështu që e thirrën kunatin në zyrë dhe i bënë vërejtje duke i thënë se “partia kërkon që ne të kemi një familje të shëndoshë”. Mbaj mend se ai shkoi në familjen e kunatës, kërkoi të falur dhe e mori përsëri gruan e fëmijët e tij.Mbas një viti, ata u bënë përsëri me një djalë dhe ajo përsëri filloi punë, këtë herë, në kooperativë, por tashmë buka ishte thyer njëherë dhe nuk ngjitej më. Përsëri ata filluan sherrin; kunata vinte në shtëpinë time me trup të nxirë dhe vetëm qante. Ajo më thoshte se i shoqi një ditë do ta vriste, aq keq ishin gjërat. Ajo më lutej që unë t’ia rrisja fëmijët, të kujdesesha për ta dhe një ditë t’u tregoja se kush ishte ajo në të vërtetë. Ajo betohej për fëmijët e saj, se asnjëra nga ato që dëgjonte i shoqi, nuk ishin të vërteta. Ato ishin llafe të atyre që nuk i realizonin dot qëllimet që ta bënin atë gruan e tyre në shtrat dhe nga inati, i hapnin llafe. Ajo ishte aq e frikësuar se do t’i ndodhte diçka, sa më kërkoi që unë një ditë të hakmerresha ndaj kunatit tim, që ai të mbetej i vetmuar si një qen. Ajo më lutej që unë t’i rrisja fëmijët e saj me një frymë që ata ta urrenin të atin e tyre. Të gjitha këto që më thoshte, më tmerronin pa masë. Unë, fëmijën tim të parë e kisha tre vjeçe fjalët e saj më linin pa mend. Nuk dija si të veproja, i thoja tim shoqi, por ai ma kthente: “Ti shiko punën tënde, nuk kanë ç’të duhen muhabetet e tyre”, madje ai më këshilloi që të mos shoqërohesha shumë me kunatën time, se ajo mund të më bënte si veten e saj. Kështu, im shoq filloi të më ruante që unë të mos shoqërohesha më me të, por ajo në një moment kur punonim në kooperativë, u shkëput dhe erdhi e më kërkoi t’i betohesha që do kujdesesha për fëmijët e saj, nëse do t’i ndodhte gjë asaj ndonjë ditë. I thashë se kjo ishte hera e fundit që do të flisja me të, pasi im shoq ma kishte ndaluar, por ajo nuk iku derisa unë iu betova për atë që ajo më kërkonte. Unë mendoja se gjithë kjo që po ndodhte ishte vetëm një trillim që ajo e krijonte nga frika se burri e rrihte dhe e kërcënonte që ajo të mos bënte veprime të papëlqyeshme. Nuk mendoja kurrë se kunati im do të arrinte të bënte një veprim të tillë ndaj së shoqes, por isha gabuar.Mbas herës së fundit që kisha folur me të, ajo kishte ikur disa herë në familjen e saj dhe prapë ishte kthyer për hatër të fëmijëve, pasi nuk donte t’i rriste pa baba dhe, nga gjithë këto trillime, intriga e pabesi që i kurdiste i shoqi, kishte filluar ta humbiste freskinë e saj. Dukej sikur ai po e mbyste çdo ditë e më shumë, bukuria e saj sa vinte e venitej, duke u kthyer në një grua të rëndomtë e të dobësuar në maksimum, që nuk i tërhiqte vëmendjen askujt, madje më keq akoma, të gjithë ndjenin keqardhje se si ishte katandisur. Dhe, e gjithë kjo gjendje e saj nuk zgjati shumë, deri një ditë kur ora shënonte shtatë e mbrëmjes…
Si sot e kam në vesh të bërtiturën e llahtarshme të djalit të kunatit. Të gjithë sa ishim në shtëpi, vjehrri, vjehrra, u ngritëm të gjithë në këmbë dhe u drejtuam në kasollen ku djali ulërinte me të madhe. Aty ai gjeti të ëmën varur në litar dhe nuk kishte gjë më të tmerrshme se ajo skenë! Djali i saj dhjetë vjeçar, e kishte parë të ëmën në atë gjendje… Nuk dua t’ju tregoj më nga ajo skenë pasi është vërtet shumë e dhembshme… Ajo që dua t’ju them është fakti se kunati im e kishte luajtur aq bukur skenën saqë drejtësia besoi se ajo ishte një vetëlendusje, por unë që e dija të gjithë historinë, e dija shumë mirë se kush ishte shkaktari i vërtetë i kësaj lendusjeje.Që prej asaj dite, një kapitull i ri hyri në jetën time, sepse përveç vajzës sime, do të rrisja edhe katër djemtë e kunatit, të cilët jetonin më shumë në shtëpinë tonë sesa në shtëpinë e tyre. Kunati nuk u martua me grua tjetër, pasi edhe pse u tha se gruaja e tij lenduu veten, opinioni në fshat e dinte shumë mirë se kush ishte shkaku kryesor i vdekjes së saj. Kështu, asnjë grua nuk pranonte të hynte më në atë shtëpi, aq më tepër që ai kishte edhe katër fëmijë për të rritur. Vjehrra ime mori përsipër që t’i rriste fëmijët e djalit të saj dhe burri im nuk dëshironte që ne të bënim fëmijë të tjerë pasi kishim për të rritur fëmijët e kunatit. Për këtë, u mërzita shumë sepse për faj të tij, unë mbeta vetëm me një vajzë. Megjithatë, vitet kalonin dhe, sa ishte vjehrra, unë nuk pata shanse që të kujdesesha për fëmijët, pasi ajo më shikonte si një vegël pune. Shkoja punoja në kooperativë dhe vija laja rrobat e të gjithëve. Me pak fjalë, u ktheva në një lloj shërbëtoreje të tyre. Kur vjehrra ime dhe gjyshja e tyre vdiq, e mora situatën në dorë dhe fëmijët, herë pas here më bënin pyetje për të ëmën e tyre. Kërkonin detaje nga nëna e tyre e cila i la shumë të vegjël dhe nuk mundi t’i gëzonte. Përveçse u flisja shumë për të, unë kisha ruajtur edhe dy–tre foto të së ëmës së tyre, sepse e dija që do vinte një ditë dhe ata do të kërkonin të dinin më shumë për të.Vitet kalonin dhe djemtë e kunatit morën rrugën e kurbetit. Ata u martuan andej dhe nuk ktheheshin që të jetonin me të atin, me pretekstin se kishin frikë nga ajo çfarë i kishte bërë nënës së tyre. Ai u lutej djemve të tij të ktheheshin në Shqipëri që të jetonin me të dhe mos ta linin vetëm, por ata nuk bënin gjë tjetër veçse mohonin. Një ditë, kunati i erdhi një letër, ku i thoshin: “Ne nuk të njohim ty, si baba. Ti je mallkimi i shtëpisë sonë, je lendusësi i nënës sonë dhe tashmë ka ardhur momenti të vuash pasojat e asaj që mbolle. Ti ia hodhe drejtësisë në atë kohë, por neve nuk mund të na e mbushësh mendjen se nëna jonë lenduu veten, pasi ajo asnjëherë nuk do të na braktiste ne djemve të saj, që ishim në moshën kur kishim nevojë për nënën tonë. Drejtësinë që nuk e vendosi shteti atëhere, do ta vendosim ne, djemtë e tu, ne, që na thave buzën për të thirrur fjalën “nënë”. Për ne, nënë ka qenë nusja e xhaxhait dhe baba ka qenë xhaxhai, të cilët nuk u kursyen kurrë për të na rritur si gjithë fëmijët e tjerë”.Kunati e kishte marrë këtë letër në postë dhe e kish hapur përpara shtëpisë së tij. Im shoq e kishte parë teksa qante me të madhe dhe thoshte: “Mallkuar dita kur e njoha atë femër!”. Ai qante e qante pa pushim për fëmijët e tij, të cilët nuk donin t’ia dinin më për të. Edhe pse im shoq kur fliste me ta në telefon, u lutej që të ktheheshin, përsëri ata nuk dëgjonin. “Ashtu si na e punoi ai neve, ashtu do t’ia kthejmë edhe ne”, thoshin. Djemtë e tij u bënë shumë të zotë, madje ata punonin dhe na dërgonin edhe neve nga kursimet e tyre, sepse e dinin që ne sakrifikuam veten tonë për të rritur ata. Të paktën, Zoti na nderoi dhe i bëri djem të mirë për veten e tyre. I ati i tyre jeton vetëm në shtëpi, duke pritur që një ditë djemtë e tij do ta falin për dhembjen që u shkaktoi, ndërsa unë jam e qetë, se shpirti i kunatës prehet në paqe, teksa shikon burrin e saj që vuan për të parë djemtë e tij. Këtë hakmarrje kërkonte edhe ajo, prandaj më lutej që një ditë të isha e ndershme në atë që do t’u tregoja fëmijëve të saj dhe në të vërtetë, ashtu bëra. E gjithë kjo histori u shkrua nga unë sot, për të kujtuar kunatën dhe për t’i thënë se unë e mbajta premtimin tim deri në fund.