fbpx
Më falni nëse do t’ju shkaktoj dhimbje dhe do ju bëj me lot

Më falni nëse do t’ju shkaktoj dhimbje dhe do ju bëj me lot…!


Më falni nëse do t’ju shkaktoj dhimbje dhe do ju bëj me lot – Dua t’ju kërkoj falje nëse historia e jetës sime do t’ju mbushë edhe juve me trishtim, ashtu siç e kam jetuar unë gjithmonë. Jeta ime është ndjekur nga fatkeqësitë, njëra pas tjetrës… Sot jam stërgjyshe, e fortë fizikisht sepse akoma përpiqem të bëj punët që mund të bëjë një plakë në fshat. Ua di për nder mbesave të mia që pranuan të shkruajnë këto fjalë që ju do të lexoni…Kam lindur dhe jam rritur në fshat. Sigurisht, me kushtet dhe me mentalitetin e fshatit. E di që për rininë e sotshme shumë gjëra nga ato që unë them, janë budallallëqe, por kështu u rrit brezi im, mes injorancës totale. Në familjen e prindërve të mi kemi qenë katër djem e dy vajza. Kemi qenë ndër familjet që quheshim të pasur (para kooperativave) sepse kishim tufë të madhe delesh, kishim shtëpinë dy katëshe, por nuk kishim titull beu. Fëmijët, sapo rriteshin që të ecnin vetë me këmbët e tyre, bëheshin çobanë. Vëllai, që ishte më i madhi, pasi mbaroi ushtrinë, u martua me një vajzë nga një fshat goxha i largët, që do të bëhej si motër për mua. Vëllai i dytë, pasi shkoi ushtar dhe hapi pak sytë, u përpoq t’i ikte fshatit dhe mënyra e vetme ishte miniera. Ai gjeti punë në një minierë në fshatin ngjitur, që më vonë pushteti e shpalli qytezë. Aty njohu një vajzë nga familje e mirë dhe u martua me të e jetuan atje. Vëllai i tretë ka punuar në rruga-ura dhe nusen e kishte nga fshati, një engjëll i vërtetë. Vëllai i vogël, më i llastuari nga nëna jonë, jetoi në fshat me prindërit, edhe pse vetë punonte në qytet. Ai u bë edhe anëtar i partisë dhe nuk e pati të vështirë të kishte edhe poste drejtuese.Kur vëllai i madh u martua, ata i gëzoi Zoti me një vajzë që lindi nën peshë dhe të gjithë pëshpërisnin që nuk do të arrinte të rritej. Edhe nusja ishte trupvogël, e dobët dhe nuk kishte ç’t’i jepte vajzës për të pirë. Pastaj, edhe ushqimi e jeta e fshatit nuk linin askënd të pushonte apo të merrte veten. Një ditë ne duhet të shkonim mulliri për të bluar, por komshiut tonë i vdiq e ëma dhe babai im i dha gomarin që të transportonin dru e gjërat që duhen për ceremoninë.Kështu, gjyshi dërgoi në mulli nusen dhe motrën time të madhe që në atë kohë ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, që ta mbanin miellin të dyja bashkë. Ato u nisën herët në mëngjes dhe ndërsa kishin pritur radhën në mulli, arriti darka dhe të dyja ato rrugën në kthim e kishin bërë natën. Në atë kohë, nuk ishin frikërat që janë sot, por ishin frikërat nga bestytnitë apo të papriturat e natyrës. Fshati ynë ishte në breg të një lumi, ndërsa mulliri ishte dy kodra më tutje, në anën tjetër të lumit. Ime motër dhe kunata ime, ndërsa iu afruan lumit për të ardhur në shtëpi, lumi shtoi sepse kishte rënë shi maleve. Furia e ujit ishte bërë e fuqishme kur ato kishin hyrë në mes të lumit dhe nuk kishin as mundësi kthimi e as të dilnin në anën e shtëpisë. Motrën time rryma e kish tërhequr menjëherë, ndërsa kunata, falë Zotit, shpëtoi. Edhe nusja ishte nëntëmbëdhjetë vjeçe, leqë kishte edhe fëmijë. Trupin e motrës e kanë gjetur pas një jave, ndërsa nusja u ngrit në këmbë pas një muaji. Dhimbja në shtëpinë tonë sigurisht që ishte e tmerrshme. Të them të drejtën, nëna ime e ka tepruar me kunatën. Sa herë e pushtonin malli e mërzia për motrën, shante nusen e i thoshte që ajo ishte fajtorja për vdekjen e së bijës. Në fakt, nusja nuk kishte faj. Me gjithë tërsëllimat e nënës time, nusja mbeti po ajo vajzë e dashur dhe që mua më zëvendësoi motrën. Ajo u bë sebep që unë u martova me vëllanë e saj. Me tim shoq e kam kaluar gjithë jetën mirë, por kam patur një kunatë beqare që ma ka nxirë jetën në maksimum. Ajo e ulte tempin e grindjeve vetëm kur i fliste e motra, që ishte nusja e vëllait tim.Unë linda pesë fëmijë. Dy djem e dy vajza i martova shpejt dhe isha e kënaqur me martesat e tyre se kishin njerëz të mirë në krah. Edhe nuset i kam dashur si vajzat e mia. Djali i madh kishte tre fëmijë e djali tjetër kishte një djalë e nusen shtatzënë, në muajin e pestë, kur ndodhi gjëma që në familjen time vazhdon akoma. Ndërsa im bir kthehej nga puna, makina ku udhëtonte, u aksidentua dhe ai vdiq në lulen e moshës, njëzet e katër vjeç. Ishte gushti i vitit 1988 kur dola në oborr për të parë nëse po vinte djali dhe pashë lajmëtarin që solli zinë. Dhimbjen time mund ta kuptojë vetëm një njeri që e ka provuar të mbyllë në arkivol të birin. Veç humbjes së djalit në atë moshë, ne nuk gjenim as kafe për t’u dhënë njerëzve që vinin për ngushëllim, por jam e sigurt që ajo mospasje ishte për të gjithë njerëzit dhe të gjithë na kanë qarë hallin se ç’na gjeti për djalin e jo për mungesën e kafesë.Dhimbja na rritej kur mendonim se si do të rriteshin dy engjëjt që na la. Nusja vendosi të mos kthehej te prindërit dhe t’i rriste fëmijët te ne. Djali im i madh, sapo erdhi demokracia, u bë copash rrugëve të Greqisë për të fituar se helbete, na kishte në shtëpi ne pleqve, gruan e fëmijët e tij dhe kunatën e fëmijët. Betohem në shpirt të djalit që sa herë ai vinte nga Greqia, i hapte çantat në mes të kuzhinës dhe tregonte ç’kishte sjellë. Gruas së tij nuk i solli asnjëherë më shumë sesa një shami, ndërsa nuses së djalit të vdekur gjithmonë peshqeshin më vete. Fëmijëve të tij u sillte lodra të përdorura që ia falnin familjet greke ku punonte, ndërsa fëmijëve të të vëllait, u blinte gjithmonë ndonjë gjë të re. Me ato para që fitoi, ai bleu një tokë në një fshat afër qytetit dhe aty ndërtoi dy shtëpi. Të parën ndërtoi shtëpinë e nuses së djalit që vdiq e më pas, ndërtoi të vetën. Shtëpitë janë ngjitur dhe ai mund të kujdeset sërish për ta edhe pse i biri është bërë burrë tani.I vetmi gabim që bëri djali im ishte se kishte mentalitetin e qëmotit, ishte shumë fanatik dhe s’i kishte lënë vajzat të dilnin; maksimumi shkonin deri te dajat. Ai e martoi të bijën qysh shtatëmbëdhjetë vjeçe. Ajo ra në një familje që ishin shumë rehat, i shoqi ishte djalë i hedhur dhe ai ia hapi një çikë sytë vajzës, por nuk zgjati shumë edhe martesa e saj… Katër muaj pas dasmës, dhëndrri do të vdiste në një aksident. Më ka dhimbur në shpirt se ishte djalë i ri, por edhe vajzës sonë iu mbrapshtua jeta. Fatmirësisht, ata nuk patën fëmijë, kështu që ajo u kthye në shtëpi tek im bir menjëherë pas varrimit. Pas dy vjetësh, pra kur ajo ishte nëntëmbëdhjetë vjeçe, im bir e martoi pa pëlqimin e saj me një burrë dyzet e shtatë vjeçar që i kishte vdekur e shoqja e kishte dy fëmijë. Edhe një herë m’u përmbys shpirti se më dhimbsej vajza. Ajo, aq e njomë me një dyzet e shtatë vjeçar! Edhe unë që jam kaq plakë nuk e pranoj dot, por ai rastisi burrë i mirë. Edhe pse i moshuar, të paktën i hapi sytë e futi në punë dhe u përpoq të përshtatej me rininë e saj. Ata kanë dy fëmijë sot.Edhe fëmijët e djalit që më vdiq u rritën dhe vajza që kishte qenë në bark të nënës kur mbeti jetime, u rrit e u bë bukuroshe. Im bir, edhe atë, si të bijën, nuk e la të shkonte në shkollë, por kur mbushi nëntëmbëdhjetë vjeçe, e martoi. Ajo pati fat më të zi se e kushërira. Pas gjashtë muajsh martese, i vdiq i shoqi në një aksident, por e la edhe shtatzënë pesë javëshe. Njerëzit e të shoqit, sa e morën vesh, filluan ta ruanin ditë-natë se mos bënte ndonjë gjë për të dështuar fëmijën. Si e re që ishte, e ndodhur para fatkeqësisë së humbjes së njeriut të jetës, dashurisë për krijesën e tyre si dhe trysnisë së tmerrshme të pleqve, ajo vendosi të mos martohej, por të rrinte me pleqtë e tij dhe të rriste djalin. E mendoni dot një vajzë njëzet vjeçe që s’ka ku të punojë, se s’ka as profesion as shkollë, por rrit një fëmijë me pensionet e kooperativave të dy pleqve?! I ati e kishte lënë pesë muajshe në bark të së ëmës e historia po përsëritej; i shoqi ia la djalin pesë javësh në bark. Sot, ajo jeton në pikë të hallit duke pritur se ç’do t’u teprojë kushërinjve të burrit apo kushërinjve të saj, që të rrisë djalin.Por njeriu nuk vdes se ka fatin e keq e jeta i vjen e vështirë, ai i duron të gjitha. Të vjetrit nga anët tonë thonë: “Zoti ia lëshoi dhimbjen gurit e u ça, ia lëshoi dhimbjen drurit e u tha, ia lëshoi dhimbjen njeriut dhe e përballoi”. Kështu, edhe unë, të gjitha deri më tani i durova. Deri më tani fatkeqësitë më kishin ndjekur vetëm te djemtë, po si mund të mbeteshin vajzat pa u prekur?Vajza e madhe kishte të shoqin, kunatin dhe të birin në Greqi. Ata kanë punuar gjatë në të njëjtën zonë, kanë bërë dokumente e ia kanë kaluar mirë dhe të gjithë grekët me të cilët kanë punuar i kanë zënë miq. Sime bije i kanë bërë garancinë disa herë pronarët grekët në kohën e vizave e ka shkuar atje për Krishtlindje e për Pashkët. E kanë sajdisur sikur ta kishin motër dhe kjo falë punës e respektit që kishin lënë dhëndrri me vëllain e tij e djalin. Para dy vitesh, kur dhëndrri kthehej nga puna me të birin, ndodhi aksidenti i radhës. Djali tetëmbëdhjetë vjeç ra nga motorri dhe për fatin e tij të zi, nuk vdiq. Them për fatin e tij të zi, sepse në spital u kthye në laborator eksperimental për mjekët. Megjithëse ata thoshin se kujdeseshin që ai të jetonte, unë them se nuk ishte jetë ajo që iu ofrua. Ai ka dy vite që pas aksidentit, që e vetmja lëvizje që bën është lëvizja e qepallave. E ushqejnë me tuba e shiringa, e ndërrojnë dhe e lajnë ashtu të shtrirë në krevat, nuk flet e as lëviz as dorë e as këmbë. Kështu, ime bijë tashmë kujdeset për të birin që e ka varr të hapur sa të jetë gjallë.Dy vajzat e vogla i kam martuar në fshat, afër me njëra-tjetrën. I kanë burrat kushërinj të parë. Në fillim me tim shoq e djemtë thamë shyqyr se do jenë afër e do ndihmojnë njëra-tjetrën. Sa për fillim, ashtu shkoi; vajzat ndihmonin njëra-tjetrën. Mbanin fëmijët e njëra-tjetrës, ndërkohë që silleshin me punët në ara, por të dy dhëndrrat rastisën dembelë e dembeli, kur s’punon, o fle gjumë, o mendja i shkon për së mbrapshti. Kështu, njërit dhëndërr mendja i shkonte për së mbrapshti e nuk flinte, si tjetri. Qysh në vitin e parë të martesës, ai bridhte në qendër të fshatit duke kullotur sytë në fundet e grave. Ime bijë, edhe pse një metër e shtatëdhjetë e gjatë, peshon vetëm dyzet e shtatë kile. Duket sikur ka dalë nga kampet naziste e jo sikur jeton në shtëpi të saj. Të tre fëmijët u rritën e ushqyen vetëm me mundin e së ëmës. Dhëndrri tjetër që flinte gjumë, na u zgjua një ditë me mend të keq dhe lenduu kushëririn e tij, vëllain e baxhanakut. Merreni me mend, të nderuar lexues, dy motra që banojnë me shtëpitë pesëdhjetë metra larg njëra-tjetrës e që jetojnë në hasmëri dhe fëmijët që rrinë mbyllur brenda, nga frika se mos i lendusin.Vajzat e mia nuk shkojnë asnjëherë në të njëjtin mort apo dasëm se nuk i lënë burrat, për shkak të kafshërisë së tyre, kurse fëmijët nuk rrinë me njëri-tjetrin për shkak të injorancës së baballarëve të tyre e unë, nuk mund të shkoj te të dyja vajzat në të njëjtën ditë se dhëndrrat thonë që po transmetoj fjalët e njërës te tjetra.Kështu vazhdon jeta ime e trishtë, qysh kur kam qenë shtatë vjeçe me vdekjen e motrës dhe s’e di se edhe sa gjatë do të vazhdoj të vuaj. Shpresoj që Zoti të verë dorën në zemër e të më japë pakëz lumturi ose të më bashkojë me djalin, që ka njëzet e shtatë vite që e kam mbuluar në dhé të zi.Më falni nëse do t’ju shkaktoj dhimbje dhe do ju bëj me lot