fbpx
Martesen time e shkaterrova , Por edhe jeten e motres time sepse

Martesen time e shkaterrova , Por edhe jeten e motres time sepse…!


Martesen time e shkaterrova , Por edhe jeten e motres time sepse – “Mos i hap gropën tjetrit, se do të biesh vetë brenda” thotë një fjalë e urtë popullore dhe fati i keq ma vërtetoi në kurrizin tim. Do të doja t’u kërkoja falje fëmijëve të mi dhe ish-bashkëshortes publikisht, mendja më shkon tek emisioni i Eni Çobanit në TV Klan, por sinqerisht që kam shumë turp. Jam burrë pesëdhjetë vjeç dhe do të turpëroj me gabimin tim gjithë fisin, jo vetëm vëllezër e motra, edhe pse ata kanë pjesën e tyre të fajit. Kam lindur dhe jam rritur në jug të Shqipërisë, në një fshat të thepisur ku ha pula gurë. Jemi tetë fëmijë, tre vëllezër dhe pesë motra. Prindërit na kanë mbajtur afër me njëri-tjetrin, ndaj edhe pse ne jemi martuar të gjithë, marrëdhëniet tona nuk kishin ndryshuar deri para pak kohësh. Duke qenë se lindëm në fshat, ishim dhe shumë fëmijë si dhe prindërit e mi nuk është se kanë patur arsim apo ndonjë zhvillim të madh (xhanëm, ku do ta merrnin kur kanë parë veç shkëmbinj), kështu që asnjëri nga ne nuk vazhdoi shkollë të lartë. I vetmi që bëri një kurs dy vjeçar për mekanik pas shkollës së mesme kam qenë unë dhe kjo, falë vëllait të kunatës sime.Vëllai im u martua i pari sapo mbaroi ushtrinë dhe kur erdhi te ne, nusja ishte tetëmbëdhjetë vjeçe pa katër muaj. Jo vetëm që ishte e vogël vetë, por gjeti një qerre me fëmijë te ne, pastaj vajzë fshati me mentalitetin e vjetër. Mua më pëlqente shumë nusja, me dukej edhe e bukur dhe më vinte gjynah tek e shihja që punonte e robtohej dhe nuk hante dot se kishte turp. Ajo skuqej kur prindërit e mi i luteshin të hante në sy të të gjithëve. Unë, që atëherë isha gjashtëmbëdhjetë vjeç, gjeta një mënyrë timen për ta ndihmuar. Mblidhja frutat sipas stinës dhe ia vija gjithmonë poshtë jastëkut në dhomën e saj. Ditën e parë i thashë në korridor ndërsa i jepja një lule kamomili që e kisha marrë ndër arë:– Këtë lule do ta vë nën jastëk dhe të lutem mos e shtyp, por kontrollo më parë, – dhe i lashë lulen në dorë, kurse me trikon të mbledhur shuk përpara, ika për në dhomëne saj. Ajo në fillim s’kuptoi gjë, por kur më pa që dola nga dhoma me bluzën të drejtuar, qeshi. Të nesërmen kur u zgjua erdhi e më falënderoi në korridor, ndërsa fytyra iu bë flakë e kuqe. Këtë gjë e bëja çdo ditë dhe me siguri ajo u kishte treguar familjarëve të saj.Pas tre vitesh, kur unë mbarova shkollën e mesme, vëllai i saj i madh erdhi e më takoi. Ai punonte shef llogarie në një ndërmarrje.– A. sa mirë që të pashë, – më tha dhe bëri sikur i kishte rënë rruga rastësisht. – Dua të flas pak me ty…– Sigurisht që po, – i thashë unë – ne miq shtëpie jemi. Kam bërë ndonjë gabim?– Jo more, pse vetëm për gabime do flasim ne? Po sikur të flasim për ndonjë gjë më të mirë, për shembull për një të ardhme ndryshe tënden, jo të rrish në kooperativë? – Unë hapa sytë akoma më i çuditur nga sa dëgjova. – Një herë të pyetemi se si vete, si janë nga shtëpia? Më hutove more djalë! – tha dhe më hodhi krahun në qafë. Ndërkohë, ai më tërhoqi në drejtim të një kafeneje.– Mirë jemi të gjithë. Edhe motrën mirë e ke, vetëm e bukura e dheut, ajo mbesa jonë e përbashkët është pak me grip.– E keni vizituar? Është keq, ka temperaturë? – tha ai.– Jo, s’e kemi vizituar, vetëm pak hundët e bllokuara ka, – i thashë.– Epo s’paska asgjë atëherë.Sapo porositëm, ai filloi:– Arsyeja pse desha të flas me ty është se motra ime të ngre në qiell sa herë që vjen në shtëpi. Dhe meqenëse ti, jo vetëm e ke respektuar kunatën tënde, por edhe e ke dashur si motër, unë dua të ta shpërblej me aq sa mundem. Në komitet sivjet kanë ardhur tre bursa për mekanik, është një shkollë dy vjeçare në Durrës. Unë e kam një mik aty e mund t’i them për ty, por më parë më duhet miratimi yt.– Sigurisht që jam dakord, e kush nuk do të donte të merrte një zanat? Pastaj, unë s’e kam parë Durrësin asnjëherë, e të mendoj të shkoj e të jetoj atje dy vjet? Nëse bëhet, kjo është mrekulli!– Atëherë, kur të shkosh në shtëpi, do t’u thuash që ti e more vesh nga një shok dhe më takove mua e më pyete a njoh njeri. Dakord?– Në rregull, nga unë s’të del fjalë, – i thashë, – pa merak.Dhe kështu, unë pas tre muajsh, shkova në shkollë e jo ushtar, siç kishin shkuar dy vëllezërit e mi. Në fillim përshtatja jo vetëm me jetën në qytet, por edhe me klimën, edhe me pamjen (se unë isha mësuar të shihja male e tani po shihja fusha e det), ishte e vështirë, por e kalova shpejt, se djalë helbete. Shkolla nuk m’u duk shumë e vështirë se i kisha qejf këto punët e mekanikut, megjithëse e gjithë shkolla bazohet në ligjet e fizikës e matematikës sepse ashtu funksionojnë motorrët. Ndërsa shkolla vazhdonte, unë ndryshova goxha. Isha rritur e fillova të hidhja sytë rreth e rrotull edhe për ndonjë çupë. Në fshatin tim nuk mendohej të kishe të dashur, por vetëm të martoheshe, kurse unë fillova të kërkoja të dashur; e kuptoni ç’ndryshim ishte për mua?! Nejse, nga vajzat që kishim në konvikt e ato të shkollave përrreth, nuk më ngjiti asnjëra. Pranë shkollës kishim disa shtëpi të vjetra. Njëra kishte një oborr që në të gjitha stinët kishte lule të çelura e mes luleve unë gjeta vajzën që kërkoja. Ishte vajza e vetme e dy prindërve që ishin mësues fizike. Ajo ishte në vitin e dytë gjimnaz, në lule të moshës dhe unë, ashtu avash-avash nisa t’i afrohesha. Arrita ta bëja për vete shumë shpejt dhe ato dy vite të shkollës i kalova si në parajsë. Unë mbarova shkollën dy vjeçare e ajo mbaroi të mesmen dhe ne u fejuam. U nisa të zija të dashur e zura nuse, po nejse. Sot e kuptoj që nuk ishte faji i saj, as i imi, por i fatit tonë të keq.Ajo vinte nga një familje intelektuale dhe vetë ishte enciklopedi. E kuptoja që jo vetëm ishte e zgjuar, por edhe shumë e lexuar kur ne takoheshim fshehurazi, por mendoja se duke ndenjur me të, do të filloja të lexoja dhe unë. Pas gjashtë muajsh fejese, ajo mbeti shtatzënë dhe ne u martuam shpejt e shpejt. Meqenëse ishte vajzë e vetme, isha unë që shkova në shtëpi të saj e jo ajo në timen. Pastaj, edhe sikur, ku ta çoja të jetonte mes malesh?! Edhe kur vinte për dy-tri netë, ajo gati sa s’thyente këmbët teksa ngjitej gërxheve. Kështu, na lindi vajza e parë dhe pas saj, edhe një djalë e një vajzë tjetër. Vetë u rregullova menjëherë në Durrës sepse babai i saj kishte patur nxënës gjysmën e qytetit dhe e njihnin. Shkolla ku punonte vjehrra ime ishte pranë shtëpisë, kështu që edhe për fëmijët tanë u kujdesën më shumë vjehrra e vjehrri sesa ne të dy si prindër. Në fillimet e martesës sonë nuk kemi lënë vend pa shkuar, vajzën e mbante e gjyshja, nga ana ekonomike ishim mirë dhe duke qenë se gruaja ime ishte fëmijë i vetëm, prindërit mundoheshin si e si ta bënin të lumtur.Me ndryshimet e viteve ‘90-të unë pata fatin të punoja shumë dhe bleva një shtëpi në pallat, nga ato shtëpitë e atyre që ikën nga Shqipëria me anije. Atë shtëpi ne e lamë për disa kohë me qira. Meqenëse ishim mirë, përpiqesha të ndihmoja edhe vëllain e vogël që mbante prindërit e mi, por edhe motrat. Ndërsa puna më bënte të njihja shumë njerëz, më hyri vetja në qejf. Ndër njerëzit që njoha ishte një bjonde bukuroshe që shumë shpejt u bë dashnorja ime. Ndërsa në shtëpi te gruaja justifikohesha se po përpiqesha të ndihmoja dy motrat e mëdha të iknin në Itali, paguaja paratë jo vetëm për to, por edhe për hotelet ku shkoja me dashnoren time.Ndërsa motra e vogël kishte mbetur pa martuar dhe ishte bërë njëzet e tre vjeçe. Ime më, më qahej sa herë shkoja për t’i takuar.– Njeh gjithë Durrësin e nuk gjen dot një dhëndërr, more bir? – ofshante.– Po s’mund t’u them djemve që a doni nuse, moj mama, ç’thua kështu?– Epo, thuaju si të duash, merre e mbaje në shtëpinë tënde që ta shohë njeri atje ndërsa del. Kush do ta shohë këtu, përveç lisat e malit kur shkon te burimi?Dhe unë pasi fola me gruan time, vendosa të ndërhyja për një djalë që e kishim komshi te pallati ngjitur. Me këtë vendim timin, mori tatëpjetën e dytë martesa ime. Ne u zumë jo vetëm atë ditë për këtë problem, por pothuajse çdo ditë. Nga zënkat e përditshme fillova të marr inat time shoqe. Por dihet që fjala nxjerr fjalën. Pas një viti sherr të vazhdueshëm, ime shoqe mori vesh edhe për tradhtinë time.Fillova që tronditjen time ta pasqyroja edhe në punë, edhe në shoqëri. Një ditë vendosa t’i hapesha motrës së vogël, meqenëse ishte e vetmja që më kishte mbetur pranë. Ndërsa po përpiqesha t’i shpjegoja belanë ku e kisha futur veten, ajo filloi të qante.– Ç’ke, – i thashë, – ja do ta rregulloj, mos e merr kaq tatëpjetë.– Po qaj për fatin tonë së bashku, – dhe nuk i pushohin dihamat.– Pse për fatin tonë, mendoj se kjo është vetëm e imja, – i thashë me një frymë. Nuk desha ta besoja atë që sapo dëgjova.– Sepse edhe unë e kam në zgrip martesën time. “Burri im i dashur” ka zënë një bjonde në punën që i gjete ti. Po ç’dreqin u pëlqejnë këto bjondet të gjithëve? – Dhe ndërkohë, qante me ngashërim.– Tani e kuptoj pse jot shoqe mezi më flet. Pastaj, për çfarë dreqin duhet të më flasë ajo, ndërkohë që ti s’i vlen për asgjë? Për çfarë duhet burri, vetëm të të lërë shtatzënë? – m’u përvesh ajo.– Unë mendoja se do të më jepje zemër si ta përballoja ose ndonjë lloj zgjidhjeje të kësaj situate e jo që do më ngarkoje më shumë, – i thashë.– Në fakt, ju meritoni t’ju varin në mes të qytetit! Si u likan fëmijët pa baba për sa bjonde parukieresh shikohen në rrugë?– Bjonde parukiere? Ç’domethënë? Kjo imja nuk është parukiere është e papunë, – thashë pa kuptuar asgjë.– Jo, jo, bjonde të lyera në parukeri, që më shumë u peshojnë bojërat e tualetet sesa truri.I prekur edhe nga historia e motrës, atë mbrëmje u ktheva në shtëpi me shpresën se do të mund të sqarohesha me time shoqe, t’i kërkoja të falur dhe t’i premtoja se do të ndahesha nga dashnorja. Në fakt, jo vetëm që nuk u sqarova me gruan, por shumë shpejt përfundova i divorcuar. Gjykata më dha të drejtë t’i merrja fëmijët një herë në dy javë. Ndërsa motra ime u nda dhe mori edhe djalin me vete. Tashmë jetoj në të njëjtën çati me motrën. Gjatë javës kujdesem për nipin tim, ndërsa mezi pres fundjavën që të shoh fëmijët e mi.Bjondes sime i dhashë duart, por vetëm pasi shkatërrova jetën e gruas, fëmijëve e në fund edhe timen. Edhe zgjedhja që kisha bërë për motrën më doli ashtu siç më kishte thënë ime shoqe, “shihi familjen, pastaj bëje mik”, por mendjemadhësia këtë bereqet paska.