fbpx
E qara jote si një e posalindur, është një alarm se rrugëtimi yt nuk do të jetë i lehtë

E qara jote si një e posalindur, është një alarm se rrugëtimi yt nuk do të jetë i lehtë…


E qara jote si një e posalindur, është një alarm se rrugëtimi yt nuk do të jetë i lehtë…-Je pjesë e një vendi të quajtur ‘dunja’, aty ku kënaqësia është e shoqëruar nga dhimbja dhe e qeshura me të qarë. Rrugëtimi yt është i pashmangshëm që nga momenti i ardhjes sate në të, ku e qara jote si një e posalindur, është një alarm se rrugëtimi yt nuk do të jetë i lehtë. Brenga e dhimbje, vështirësi e fatkeqësi, sprova e pengesa që i përngjajnë të nxehtit dhe të ftohtit. Si fëmijë, shpreson për të pasur e arritur gjithçka që dëshiron, por duke u rritur vë re se ajo që ti shpreson, i ngjanë atij trageti gjigandë, që dalëngadalë fillon të lëkundet e të shpërbëhet nga stuhitë e detit! E kupton se si gjithë të tjerët, edhe ti je e përfshirë në detin e paanë të jetës, ku në disa raste humbet në thellësinë e tij e ka raste kur e gjenë veten të mbajtur për rrase mbi valë, me shpresë se do dalësh në breg. Vazhdon me këtë shpresë duke e bindur veten se jeta është e tillë, e bazuar mbi vështirësi, dhimbje dhe se patjetër njeriu do të ballafaqohet me to. Është ligji Atij (Allahut) që i krijon këto situata, me qëllim që t’i vë në sprovë krijesat e Tij. Çdo shpirt do t’i shijon dhimbjet e jetës, pa marrë parasysh, besoi apo mohoi. Thotë Allahu në Kur’an: “A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.” Ajo me çka ti sot po sprovohesh, para teje janë sprovuar njerëzit më të mirë të këtij rruzulli. Veçse, ata i tejkaluan të gjitha! Besimi, qëndresa e fortë dhe durimi i kalitur thellë në zemrat e tyre, bënë që ata t’i sfidojnë të gjitha këto sprova! E rëndësishme është që ti, t’i kalosh këto sprova me sukses dhe t’i përballosh vështirësitë e kësaj bote duke qenë e fortë në besim. Zaten, qëllimi i sprovës është që ti dhe unë të arrijmë kënaqësinë e Zotit dhe afrimin me Të. Ai nuk na i vështirëson gjërat kot, por kënaqësinë e Tij dhe afrimin me Të, ndoshta nuk mund ta arrinim ndryshe. Asnjëherë mos u zemëro me caktimin e Allahut dhe mos thuaj: pse unë? Ngase Allahu i zgjedh për t’i sprovuar ata që i do. Mbështetu në Allahun që ka mundësi të bëj çka të donë dhe drejtoju Atij me zemër të frikësuar që të t’i hap të gjitha dyert. Mos i humb shpresat në Allahun, dije se brenga jote është fillim i lehtësimit dhe se pas çdo vështirësie vije edhe lehtësimi. Lidhe shpresën tënde për Allahun dhe kërko prej Tij. Drejtoji lutjet tua në sexhde, në errësirën e natës, vetmohu me Të dhe paraqit kërkesat tua. Ai zbret në pjesën e tretë të natës dhe thotë: “…a ka kush që lutet për diçka e Unë t’ia jap.” Kërko me bindje prej Tij! Mos e harro kët’! Ti je rob i Atij që kur thotë për diçka ‘bëhu’ ajo menjëherë bëhet. Lus Allahun e Madhërishëm që brengat, dhimbjet, mungesat, sprovat e gjithësecilit, t’i largon, lehtëson dhe t’i zëvendëson me diçka më të mirë dhe nëpërmjet tyre t’i lartëson gradat tona në dunja e Ahiret!