fbpx

Do të vdes por jam i lumtur, se gjeta një nënë për vajzat e mia…


Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një burrë 42 vjeç. Kam patur gjithmonë dëshirë ta shkruaj historinë e jetës sime, por asnjëherë nuk e mora iniciativën. Tani, duke e shkruar për faqen e juaj  ka një vlerë të madhe për të gjithë ata që do ta lexojnë…Kam dy fëmijë, dy vajza; njëra 11 dhe tjetra 6 vjeçe. Ish-gruaja ime na ka braktisur para 5 vjetësh. Ishte e vështirë kur m’i la vajzat aq të vogla. E madhja ishte 6 vjeçe, kurse e vogla, sapo kishte mbushur 1 vjeçe, mirëpo në atë kohë unë kisha nënën gjallë dhe nuk e ndjeva aspak barrën e rëndë që na la ajo, madje ishin vitet më të bukura të jetës sime. Ish-gruaja ime u largua me një shofër taksie. E kishte takuar kur dilte të bënte pazar a ku ta di unë, sepse ajo nuk punonte, nuk kishte as profesion e as shkollë të lartë. E doja shumë dhe i fala dashuri e një shtëpi të bukur me të gjitha të mirat, por nuk isha njeri i djallëzuar, që ta kuptoja se ajo më tradhtonte. Vajza e madhe e mban mend mirë të ëmën dhe shpesh e përmend edhe tani që është e rritur, por e vogla nuk e mban mend fare dhe sa herë më ka pyetur për të, i kam thënë se ka ikur me punë e do të kthehet prapë. Ajo i ngjan shumë asaj, me flokët e verdhë e me kaçurrela, me sytë e zinj pis dhe me një lëkurë të butë si të foshnjave. Sa herë e shoh, ma kujton atë grua dhe dashurinë që kisha për të, dashuri që nuk e kam patur për asnjë grua tjetër. Nejse, tani nuk dua të shkruaj për këtë, por për gjendjen time të tanishme dhe si do të bëhet me dy vajzat e mia, kur unë të mos jem më.Nëna ime i rriti vajzat me shumë dashuri e përkujdesje, u dha një edukatë të shkëlqyer. Ajo vdiq para 2 vjetësh dhe menjëherë pas kësaj, unë ndërrova shtëpi dhe u shpërngula në një tjetër qytet. Gjithçka po më ecte mirë, madje u njoha me një grua të cilën e kisha përballë aty në lagje. Ishte tre vjet më e vogël se unë dhe nuk ishte martuar asnjëherë. Kishte qenë e fejuar më parë dhe ishte ndarë. Më pas, nuk kishte marrë guximin të fejohej a të martohej prapë. Nuk e solla në shtëpi që në fillim sepse nuk kisha besim se ç’njeri ishte.Pasi kishin kaluar nja disa muaj, ajo më tha:– Të mitë e kanë marrë vesh për ne, ndaj duhet t’i shpejtojmë gjërat se dhe të vegjël nuk jemi tani…– Të kanë kushtëzuar që të mos dalësh me mua?– Jo – tha ajo me gjysëm zëri – po t’i them nga ana ime këto. E, në fakt, çfarë po presim?Për mua nuk ka ndonjë problem. – i thashë, por me vete mendova se nuk isha gati ende të çoja në shtëpi një “nënë” të re për vajzat e mia. Më pëlqente shumë, por seç kishte diçka që nuk më bindte. Ndoshta ngaqë sa herë flisja për vajzat, ajo nuk e zgjaste muhabetin, vetëm dëgjonte ato që thoja unë dhe më pas kalonte në një temë tjetër. Dëshiroja shumë që të kisha një grua e ta çoja në shtëpi, jo vetëm për të më ndihmuar në punët e shtëpisë, por dhe si partnere. Edhe pse takohesha çdo ditë me të, doja ta kisha në shtëpi e të rrinte me mua. Pastaj e provova se si do të sillej me vajzat e mia. I thashë se kisha një surprizë dhe ajo erdhi menjëherë. Ishte shumë e qeshur ndërsa po kalonte rrugën dhe, kur pa vajzat, sikur i iku pak buzëqeshja, por e mblodhi veten shpejt.– Sa vajza të bukura! T’jua puth pak faqet e bukura?– Po, teta!Vajzat pranuan sepse siç ju thashë më lart janë mjaft të edukuara. Gjatë drekës, unë vërtetova atë që e mendoja prej kohësh. Ajo nuk do të mund të ishte nëna e duhur për vajzat e mia. Ndoshta ngaqë ende nuk kishte bërë vetë fëmijë, ose tani ishte e madhe në moshë dhe kishte harruar lojërat e fëmijëve, por nuk kishte shumë rëndësi arsyeja përse. Unë u ndjeva i lehtësuar që kisha menduar saktë për të.Me kalimin e kohës, u largova prej saj dhe ajo e kuptoi e u shkëput edhe vetë, pa një, pa dy. Pra, përsëri vetëm. Kësaj vetmie iu shtua një tjetër femër, po në këtë rast ishte shumë e rrezikshme: Sëmundja.Duke punuar, më ra të fikët. Shokët më çuan në spital dhe pas shumë analizash, doli se kisha një tumor në kokë. E si do ndodhte ndryshe?! Me gjithë ato që kam kaluar unë, tumori madje më ishte shfaqur me vonesë. Vajzat, gjatë kohës që unë isha në spital, i mbajti motra ime. E dija se i kisha të sigurta, por nuk doja t’ia lija për shumë kohë sepse burri i saj është shumë nevrik dhe do t’i shfryhej motrës për të gjitha. Mjekët më operuan dhe operacioni shkoi mirë. Më pas dola nga spitali dhe mora edhe vajzat në shtëpi. Ato, kur më shikonin me flokët e qethur, ngryseshin, por unë u thoja se i kisha prerë sipas modës. I dua shumë dhe nuk duroj asnjë shenjë pakënaqësie në sytë e tyre…– Babi, po pse e ke të fashuar kokën? E ke lendurë? – më thoshte e vogla.– Po! – i thoja.– Po ku e ke lendurë?– Në punë.– A do ta lendusësh më?– Jo, zemër!Ky ishte dialogu i çdo ditë me vajzën e vogël e cila mërzitej shumë kur ma shihte kokën e fashuar. Për deri këtu nuk e kisha shumë problem, por çfarë do të ndodhte më tej? Ia lashë fatit në dorë…E mora veten shpejt dhe kërkova të dilja në punë, por vendi i punës ishte zënë. Kërkova shpjegime nga pronari, por ai, në njëfarë mënyre, kishte të drejtë. Nuk kishte si ta linte punën pa bërë dhe kishte marrë një zëvendësues, që tani nuk e hiqte dot. Nejse, ky ndoshta ishte thjesht një justifikim nga ana e tij, por edhe mund të ishte e vërtetë. Sidokudo, unë nuk mund të bëja asgjë për t’u rikthyer në punë. Duhet të gjeja një punë tjetër. Kërkova shumë, por pa rezultat. Më në fund, gjeta punë si roje. Paga ishte e mirë po të punoje natën, por unë nuk kisha ku t’i lija vajzat, kështu që pranova të punoja ditën dhe me një pagë të ulët. Jeta filloi të merrte ritmin e mëparshëm, me disa vështirësi të vogla. Kjo zgjati njëfarë kohe, derisa sëmundja sulmoi përsëri. Kisha dhimbje në kokë dhe shkova te doktori.– Ne u munduam ta hiqnim të gjithë masën, por ja që ka qenë një masë aktive dhe ka filluar përsëri të ngrejë krye. – tha doktori.– Çfarë duhet të bëjmë doktor? Do të operohem përsëri?– Po, duhet, por njëherë do të marrësh një mjekim e më pas të shohim.Ai më dha mjekimin që unë e mora menjëherë, mirëpo në vetvete isha i frikësuar, prandaj fillova të mendoja për vdekjen. Po, po, për atë dhe për fatin e dy vajzave të mia. Ç’do të bëhej me to? Kush do të kujdesej ashtu siç bëja unë, çdo ditë? Për këtë, mendova të lidhesha me ish-gruan, nënën e vajzave. Asnjëherë nuk kisha kërkuar për të. Kisha marrë vesh tek-tuk ndonjë fjalë, por nuk doja të dija shumë sepse do të lëndohesha ngaqë akoma ndjeja diçka për të.Pas shumë kërkimesh, e gjeta. Ishte martuar në Zvicër, me një zvicerian. Ishte ndarë nga taksisti dhe ishte martuar me të. Kur i telefonova për herë të parë, e hapi telefonin dhe sapo e mori vesh kush isha, e mbylli e nuk e hapi më. Pra, ajo nuk kishte ndërmend të merrte asnjë informacion as për mua, as për fëmijët e saj. Këtë kuptova dhe nuk kisha pse të flisja më me të në telefon e t’i kërkoja asgjë. Ajo kishte ikur e nuk e kthente më kokën pas. Tani, me të vërtetë, nuk kishte kush të kujdesej për vajzat e mia. I kërkova një kushërire të më njihte me ndonjë femër e të lidhesha me të, por si duket, ajo ua thoshte gjendjen time dhe asnjëra nuk doli në takim me mua. Në spital, njoha një infermiere. Ajo ishte grua e divorcuar. Shkaku i divorcit ishte se ajo ishte sterile, pra, nuk bënte fëmijë. Nuk ishte vetëm kjo, ajo që më shtyu të lidhesha me të, por edhe sjellja dhe karakteri i saj. Ishte një grua e urtë dhe kishte një pamje të lezetshme.Në fillim, ajo ishte pak e ndrojtur. Qe e kuptueshme, përderisa edhe ajo si unë, kishte patur zhgënjime në jetë. Nuk ishte faji i saj që nuk bënte fëmijë. Dihet se të gjithë duan një fëmijë dhe të lënë një trashëgimtar, por kur kjo nuk është e mundur, nuk është faji i askujt. E kisha takuar herën e parë kur isha në spital dhe isha futur në muhabet me të. Herën tjetër, kur shkova vetëm për të marrë mjekimin, e takova dhe i kërkova të më çonte te mjeku. Kështu, pas vizitës, pimë një kafe e më pas nisëm të pinim njërën kafe pas tjetrës. Duke treguar ato që na kishin ndodhur, u miqësuam, miqësi kjo që arriti deri në pikën kur i kërkova të njihej me vajzat e mia.– Nuk e di a jam gati për këtë. Ndoshta po nxitohemi…– Nxitohemi? – i thashë me shaka, po që kishte shumë të vërtetë brenda. – a kam kohë unë me gjithë këtë tumor në kokë?Ajo nuk qeshi menjëherë, por kur unë ia shkela syrin, asnjëri nuk e mbajti dot të qeshurën. Ndiheshim mirë me njëri-tjetrin dhe tani do të provonim se si do të ndiheshim të katërt, bashkë me vajzat.E lamë të takoheshim te shtëpia ime. Kisha besim tek ajo. Nuk kisha pse të dyshoja se isha i sigurtë për atë njeri. Ajo kishte treguar gjithmonë se ishte një njeri me të gjitha të mirat e sidomos, shumë e kulturuar dhe e zgjuar. Që në çastin e parë, pashë se fati kishte trokitur këtë radhë në derën time. Menjëherë, ajo krijoi lidhje me vajzat, ndërtoi një komunikim të përsosur dhe kaloi provën për t’u bërë pjesë e jona. Tani unë jetoj me të dhe ndjehemi shumë mirë. Pavarësisht se sëmundja ime më jep sinjale shpesh, e di se, kur të vijë koha që të iki, vajzat e mia do të jenë në duart të sigurta.