fbpx
nuk mund të lind më

Burri nuk e di që Unë nuk mund të lind më, kur ta marrë vesh, do të më lërë, o Zot më ndihmo!


Burri nuk e di që Unë nuk mund të lind më, kur ta marrë vesh, do të më lërë, o Zot më ndihmo! – As vetë nuk e di se ku po e gjej gjithë këtë guxim për të shkruar këto rreshta. Dhimbja që kam në shpirt është e pashpjegueshme dhe do çante çdo shkëmb, por kjo zemra ime po duron. Nuk e kuptoj se çfarë po më ndodh dhe as vetë nuk e di se si po jetoj. Po të kisha pasur ndonjë shpresë për të ardhmen, mbase edhe për mua gjërat do të ishin më të lehta, por në këtë pikë, kur shpresa vdiq e para, çfarë më ka mbetur më? Kam dy muaj që kam humbur fëmijën tim në një abort të padëshiruar dhe mjekët më thanë që nuk mund të mbetem më shtatzënë. E ç’fatkeqësi më e madhe mund t’i bjerë një njeriu? Por, ajo që më tmerron më shumë është kur t’ia them bashkëshortit. Ai e di që unë e kam humbur fëmijën, por nuk e di që unë nuk mund të lind më. Jam e sigurtë që sapo ta marrë vesh, do të më lërë.O Zot, më ndihmo! Shkruaj dhe lotët më rrëshqasin pa pushim mbi faqe.Për dy muaj kam rënë 8 kilogramë. Nuk ha asgjë gjithë ditën dhe po bie në depresion. E ku ka mallkim më të madh sesa të mbetesh pa fëmijë? Është e tmerrshme të jesh 25 vjeçe dhe të dish se nuk mund të kesh fëmijë kurrë në jetën tënde.Si do të jetë jeta ime pa një fëmijë? Të gjithë thonë se fëmijët janë motivi i jetës, se ata e bëjnë më të bukur një çift.Po jetën time, çfarë do ta zbukurojë tani? Është e tmerrshme ta ndjesh brenda trupit tënd atë qenie të vogël që të rritet dhe të mos kesh mundësinë ta njohësh kurrë. Nuk jua shpjegoj dot me fjalë se çfarë do të thotë ta provosh ndjesinë e mëmësisë dhe pastaj ta dish se nuk mund ta përjetosh kurrë vërtet një gjë të tillë. Si mund të jetoj unë tani?Ku ta gjej forcën që ta bëj jetën time të bukur, të ketë një kuptim? Si do ta rigjej lumturinë me bashkëshortin? Më duket sikur asgjë nuk do të jetë më e bukur për mua, nuk do të jetoj më asnjë ditë të lumtur. Fundi i martesës sime është çështje ditësh. E vërteta do të merret vesh, dhe unë, veç fëmijës së humbur tashmë, do të humbas edhe bashkëshortin.Kishim dy vjet që provonim të bënim fëmijë, por asgjë. Unë nisa të bëhesha merak. Më dukej sikur nuk isha në gjendje të bëhesha nënë dhe u mërzita shumë.Burri më thoshte që të mos nxitohesha për të dalë në përfundime dhe, pikërisht atëhere kur nuk e prisja, unë mbeta shtatzënë. Që në fillim të shtatzanisë, nuk ndihesha mirë. Isha e këputur dhe vazhdimisht në gjendje të fikëti, por mendova se gjithçka do të ishte kalimtare. Shkova vetëm një herë te mjeku, kur isha 3 muajshe. Ai më këshilloi të bëja regjim shtrati sepse isha në rrezik dështimi. E ndoqa këshillën e tij aq sa munda.E çova shtatzaninë deri në muajin e pestë dhe pikërisht atëhere kur mendoja se e kisha kaluar më të keqen, ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Isha duke dalë në oborr, kur ndjeva një therje të fortë në bark. Shkova në tualet dhe pashë se kisha hemoragji. U tmerrova.Thirra vëllain sepse e dija që ishte pranë dhe mund të më çonte në spital me makinë.Ai erdhi dhe më çoi në spital. Kisha dhimbje të tmerrshme. Erdhi edhe ime më me motrën e vogël. Shkuam në urgjencë. Kur u përmenda, më thanë se e kisha humbur fëmijën, madje ishte rrezikuar dhe jeta ime, por ata kishin bërë të pamundurën që të më shpëtonin. Vetëm qaja.Mamit tim i kishin thënë se nuk mund të lindja më kurrë fëmijë, por ajo nuk kishte zemër të ma thoshte. Erdhi edhe im shoq. Ai u përpoq të më qetësonte duke më thënë se do të bënim fëmijë tjetër dhe se do ta hidhnim pas krahëve këtë histori, ndërsa mua më kalonte ndërmend se sa shumë ishim munduar për ta nisur këtë fëmijë.Pyesja veten nëse do të arrija të mbetesha prapë shtatzënë, sikur ta dija se çfarë më priste. Përpara se të dilja nga spitali, mami erdhi me njërin prej mjekëve. Ai më tha se duhet të bëhesha e fortë dhe t’i gëzohesha faktit që isha akoma gjallë. Këto fjalë duhej të shërbenin për të më përgatitur për lajmin e hidhur, por a ka gjë që të përgatit për një lajm të tillë?Pastaj, ai më tha se nuk mund të bëja më fëmijë. E pyeta nëse ishte i sigurtë dhe nëse jashtë shtetit mund të gjeja ndonjë kurë, por ai nuk më dha asnjë shpresë. Mami u përpoq të më qëndronte afër.I thashë që të mos i tregonte askujt sepse nuk isha akoma gati që ta bëja këtë bisedë me bashkëshortin tim dhe ajo ma ka ruajtur sekretin, por më thotë vazhdimisht se duhet të flas me burrin dhe të mendojmë qoftë edhe për të adoptuar një fëmijë, por mua më është fiksuar një bisedë që kemi bërë dikur… Ra muhabeti te fëmijët e adoptuar dhe ai u shpreh kategorikisht kundër, madje më tha se po t’i ndodhte atij të mos bënte dot fëmijë, më mirë do të pranonte të rrinte pa fëmijë sesa të rriste fëmijën e dikujt tjetër, që mund t’i sillte probleme më pas. Kjo është historia ime. Ndihem e dërrmuar, e shkatërruar nuk kam më asnjë arsye për të jetuar, aq sa mendoj ndonjëherë që mjekët do të kishin bërë mirë të mos më shpëtonin. Të paktën, nuk do të isha në këtë situatë të pashpresë.Pyes veten si do të ishte fëmija që nuk do të kem kurrë, nëse do të më ngjante mua apo të atit. Do të ishte një fëmijë i qetë apo grindavec? Si do të shkonte në shkollë? Këto dhe shumë pyetje të tjera rrotullohen në mendjen time, por e di se janë pyetje që nuk do të marrin kurrë përgjigje…