fbpx

Burri im kri*****, na dënoi me vdekje!


Fillimi i jetës sime si e dashuruar ishte i këndshëm, edhe pse burri im është xheloz. U njoha me të kur kisha mbaruar shkollën e mesme dhe kisha filluar punë. E kisha parë që më ndiqte dhe një ditë edhe më foli, m’u prezantua e më pëlqeu. Kështu nisi dashuria jonë, pas 2 vitesh dashuri, ne u fejuam. Ndenjëm të fejuar për një vit e gjysëm dhe u martuam në dimër sepse mbeta shtatzënë pa dashje dhe fatmirësisht, jo vetëm ne të dy, por edhe familjet tona na mbështetën që të mos e abortoja bebin. Dasmën e bëmë shumë shpejt, në punë ishim, shtëpinë e kishim tonën. Si fillim ishim mirë. Edhe shtatzania shkoi mirë dhe linda një djalë jo vetëm të shëndetshëm, por edhe të bukur. Im shoq ishte xheloz, por unë, si natyrë e qetë që jam, e qetësoja. Pastaj fillova të mbyllesha gjithmonë e më shumë vetëm e vetëm që të mos kishim sherre. Pas 3 vitesh martesë dhe një jete relativisht të mirë, ai mbeti pa punë. Ishte vetëm rroga ime dhe sigurisht që djalit donim t’ia plotësonim të gjitha. Edhe pse u përpoqëm e duruam për 9 muaj, ai sërish nuk gjeti punë. Kështu, vendosi të ikte në Itali. Në ato vite, viza kushtonte shumë shtrenjtë dhe meqenëse nuk i kishim aq para, ai iku me skaf. Derisa arriti në Itali dhe më mori në telefon, më dukej se do më dilnin trutë dhe shpirti bashkë, por ja që njeriu i duron të gjitha.Para se të nisej, sigurisht më dha shumë porosi që të mos dilja, të mos flisja me njeri, të mos shihja… e të tilla porosi prej burri xheloz. Por, unë kisha të sigurtë vetëm veten time në besnikëri e jo atë, që çfarë s’do t’i shihnin sytë në Itali.Ne mbetëm për tre vjet e gjysëm të ndarë, ai në Itali e unë me djalin në Shqipëri. Më në fund, një nga pronarët ku punonte, i dha garancinë dhe ai u bë me letra. Ardhja e tij në shtëpi ishte balsam për mua. Edhe djali filloi të kujtohej se ishte i vogël kur i ati iku dhe nuk e mbante mend. Kuptohet, u lumturua edhe familja e prindërve të tij dhe të mitë që më në fund do bashkoheshim. Ai filloi të vinte çdo dy apo tre muaj dhe mua sikur m’u ngroh zemra, mendoja që nuk na paskësh harruar.Filloi tortura e gjatë e dokumenteve, zyrë më zyrë për të bërë bashkimin familjar. Më në fund, pas 5 viteve, edhe unë me djalin do të shkonim në Itali. I kishim rregulluar të gjitha dhe shkuam. Pasi shkova, punova për rreth 3 vjet në 3 shtëpi që i kisha afërr, sepse kisha edhe mundësinë për të marrë djalin.Njëra familje kishte fëmijët pak më të rritur se djali im dhe më jepnin vazhdimisht rroba jo vetëm për djalin tim, por edhe për vajzat e kunatit, të cilat ishin njëra një vit më e madhe se djali im e tjetra pas djalit.Sëmundja e xhelozisë e shoqëronte gjithandej si në Shqipëri edhe në Itali tim shoq. Shumë shpesh bënim debate e ziheshim sidomos për të zotët e shtëpisë ku unë punoja. Kur e kujtoj sot, mendoj se ai do të bëhej xheloz edhe për të vëllanë nëse do të jetonim në të njëjtën shtëpi, jo se unë jam ndonjë bukuri e rrallë, por se ai është i sëmurë…Gjithsesi, unë isha mësuar me këtë dhe fakti që në punë merrja edhe djalin, e shuante sherrin se në fund, i thërriste trurit se nuk kisha si ta tradhtoja duke qenë vazhdimisht me djalin.Por s’qe e thënë që djalin ta merrja gjithmonë me vete sepse ai u rrit dhe orari në shkollë filloi të zgjatej me kalimin nga klasa e dytë në të tretën.Atëhere, zgjidhja sipas tij ishte që ne të bënim fëmijën e dytë.– Mirë, dakord – thashë, – edhe unë e dua një fëmijë tjetër, shpresoj që Zoti të na gëzojë me një vajzë.Nuk e di si nuk e kishim biseduar kaq seriozisht asnjëherë një fëmijë të dytë ose më saktë ai nuk kishte qenë dakord për këtë. Më në fund, ai vendosi të kishte fëmijë tjetër vetëm që të gjente një mënyrë të re që të më ruante.Arsyen se përse nuk donte fëmijë të dytë, unë e mora vesh shumë vonë, por nuk e kuptova kurrë se si mund të jetë njeriu kaq i zi për fëmijën e tij.Edhe shtatzania e dytë shkoi për mrekulli dhe mua m’u plotësua dëshira që të lindja vajzë. Nuk ishte e thënë që të vazhdonte ashtu siç nisi.Im shoq, edhe pse dukej i shëndetshem është i ri në moshë filloi të mos ndihej mirë. Rreth një muaj pati dhimbje të forta koke, lodhje, dhimbje kyçesh dhe një acarim të lëkurës. Por vetëm kaq. U vizitua dhe i thanë të bënte ca analiza, por nuk më tha se për çfarë. Tha se do kalonte dhe nuk e pyeta, meqenëse m’u duk edhe sikur u bë më mirë.Kaluan ca kohë dhe nuk më dukej më si im shoq, më dukej pak i çuditshëm, nuk grindej vazhdimisht, ose edhe kur kishte inat e nerva nuk zihej, por përpiqej të duronte. Në fillim u lumturova se mendova se tashmë ishte bindur se duhet të kishte besim te dashuria ime, po kishte diçka që nuk më bindte. E pyeta disa herë, por nuk më thoshte asgjë. Më puthte shumë ëmbël si një prind që puth fëmijën dhe kaq. Më thoshte “të dua aq shumë sa s’dua të të humbas as në këtë jetë e as në tjetrën”.Fëmijët po rriteshin, ishin fëmijë të mbarë dhe neve shyqyr na eci mirë me punën atje. Jo vetëm që krijuam ekonomi të mirë, por kishim mundësi të ndihmonim prindërit e bashkëshortit dhe të mitë, por melankolia e tij sa vinte e shtohej. Ndonjëherë mendoja se mos ishte përzier me ndonjë klan mafiozësh dhe kishte frikë për ne, sepse kjo ishte mënyra se si na ruante e na shikonte. Fillova jo vetëm të dyshoja, por edhe ta pyesja drejtpërdrejt për atë sjellje aq “të butë” nga ana e tij.– Kemi jetuar 14 vjet bashkë dhe të njoh shumë mirë – i thashë një ditë. – Do më tregosh se çfarë të shqetëson aq shumë, apo jo?– Po, do të të tregoj! – më tha. – Por ajo që do të të tregoj, është e vërtetë shumë e hidhur…“Epo, do jetë ngatërruar me ndonjë mafioz, do jetë lidhur me ndonjë grua, do më kërkojë divorcin…”. Në të qindtat e sekondës vetëm këto lloj mendimesh më kaluan në mendje. Nuk paskësh qenë as njëra e as tjetra. Sikur të kishin qenë këto lloj të “këqija” që kisha menduar unë! Me të vërtetë ishte e tmerrshme ajo që kri*****i-bashkëshorti im më tha.– Unë jam me SIDA dhe kam shtatë vjet që e di. Kam shtatë vjet që jetoj me këtë ankth…Nuk e di sa gjatë kam ndenjur pa folur e pa lëvizur, sepse ngriva nga gjithë ajo çka dëgjova.– Si? Ke 7 vjet që e di që je i infektuar dhe më thua tani?!– Para shtatë vjetësh, kur ti ishte në Shqipëri, unë herë pas here shkoja me një ku**ë. Gabimi im është se asnjëherë nuk jam mbrojtur nga sëmundjet mardhanieualisht të transmetueshme. E kam marrë vesh 1 muaj para se merrja dokumentet për herë të parë në Itali.Më kujtohet që, kur erdhi herën e parë, ishte i gëzuar, por më dukej ndryshe. Kjo kishte qenë! Dhe unë kisha dyshuar se mos kishte ndonjë grua tjetër në mes nesh… Por, meqenëse na bëri dokumentet e na mori me vete me djalin, e fjeta mendjen.– Kur e mora vesh në fillim, mjekët më thanë që isha infektuar me virusin HIV dhe pas shenjave të para do të kalonte një periudhë e gjatë qetësie. Nëse do të mjekohesha, edhe organizmi fillon e lufton vetë. “Do kalojë një periudhë e gjatë qetësie”, më thanë. Por pas kësaj periudhe qetësie organizimi është i lodhur dhe nuk mund ta luftojë vetë. Pastaj fillojnë këto shenjat që kam tani dhe në fund, infeksioni kalon në AIDS. Kjo është gjendja ime tani. Mjekët më paralajmëruan që të të ruaja ty, por unë nuk mund të lë të të gëzojë një burrë tjetër pasi të vdes unë… – tha ai dhe e mbylli fjalimin e tij të tmerrshëm.E mpirë siç isha, nuk munda të flisja asnjë gjë. U shtriva, sigurisht, jo në krevatin dopio, por në krevatin e vajzës. Nuk fjeta gjithë natën. Aq e mpirë isha, sa nuk mundesha as të qaja.Të nesërmen shkova në punë, por as gjysmat e punëve nuk bëra. I thashë të zonjës së shtëpisë se nuk ndjehesha mirë dhe ajo, me shumë dashamirësi, më tha të kthehesha në shtëpi. Prita derisa im shoq erdhi nga puna dhe më në fund, arrita t’ia përplasja të gjitha.– E kuptoj që nuk mund të pranosh që unë të jem në krah të një burri tjetër, por a mund të më thuash, si munde të mendosh një fëmijë të dënuar me vdekje qysh nga krijimi? Si mendove se mund të bënim fëmijë tjetër, kur ti ishe ndërkohë i infektuar? Mund ta kuptoj se nuk pyet për mua as se vdiqa, as se jetova, por si mund të dënosh një fëmijë, fëmijën tënd?– Mos më thuaj që nuk pyes për ty, – më tha. – S’e kupton se të dua më shumë se çdo gjë tjetër dhe nuk mund të të lë të jetosh?!– E kuptoj që s’më lë mua, po pse s’lë vajzën të jetojë. Mirë djalin nuk pyet fare që do ta lëmë jetim, do ta rrisin prindërit e tu, po përse ata duhet të qajnë edhe fëmijën tonë, përse duhet të varrosin tre njerëz të familjes? Përse djali duhet të humbë prindërit dhe motrën? Nuk e kupton kaq i pashpirt je?Erdhi ora për të marrë fëmijët, djalin nga shkolla e vajzën nga kopshti dhe nuk folëm më. Nuk doja më as ta shikoja, as ta dëgjoja. I thashë të flinte në kuzhinë. Unë fillova të flija me fëmijët.U ktheva në maniake për të mbajtur djalin sa më larg gjërave që preknim ne, dezinfektoja lugë, pjata e gota, u ktheva në një të çmendur. Nuk e dija se në ç’pikë isha as vetë e as fëmijët.Një ditë mora guximin dhe shkova në spital për analizat. Pyeta se si veprohej dhe mjekja që kontaktova, më siguroi për anonimitetin, si dhe sajuam një gënjeshtër për fëmijët, kështu që të nesërmen shkova me të dy fëmijët.E trembur, e rraskapitur, pas dy muajsh, më në fund e mora guximin dhe shkova të merrja përgjigjen. Unë isha në fazën që trupi e lufton vetë dhe më mbetej edhe afërsisht katër ose në rastin më të mirë, pesë vjet që gjendja ime të përkeqësohej. Vajza kishte pak më shumë kohë se unë, do fillonte të përkeqësohej diku nga tetë ose nëntë vjeçe… Fatmirësisht, djali nuk ishte prekur, Zoti kishte bërë mrekulli, se im shoq, që ishte babai i tij, nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta mbrojtur.Shumë e vendosur për të mbrojtur djalin, i shkrova të gjitha këshillat e mjekes dhe i zbatoj ato me përpikmërinë më të madhe. Im shoq vdiq para dy vjetësh dhe nuk kam derdhur asnjë pikë loti për të. Varrimin e bëmë në Shqipëri dhe, kur shihja vajzën që qante për të atin, shpirti sa s’më plaste.Ai është fajtori që edhe ajo do të vdesë aq e vogël, pa marrë asgjë nga kjo jetë. Tashmë, kam frikë se sëmundja do të përparojë më shpejt edhe nga reagimi jo i mirë psikologjik. Jetoj në Itali, jam me dy fëmijë dhe bashkëjetoj me tmerrin që edhe unë do të vdes së bashku me të bukurën time, kurse djali im do të mbetet jetim.Më duhet të filloj të përgatis prindërit e mi, prindërit e bashkëshortit tim për atë që do të ndodhë shumë shpejt, t’u them që ata duhet të më rrisin djallin e ta burrërojnë, t’u them që t’i bëjnë dasëm e të gëzojnë, të kërcejnë e këndojnë për të. Vetëm nëse ata do të më premtojnë këtë, them se do të më kalbë toka më shpejt, do bashkohem me fatkeqen, vajzën time shumë shpejt. Barra, trishtimi e dhimbja që ndjej, do të jetë e tyre…