fbpx
"Burrë trim"

“Burrë trim”


Natë, interier i një dhome të zakonshme banimi në gjysmë errësirë. Por kjo dhomë nuk është tërësisht e zakonshme. Është tronditëse ajo që shihet aty, dhoma duket krejtësisht e demoluar. Orenditë të rrënuara e të thyera. Dëgjohet vetëm zhurma e çakorduar e një televizori që ka humbur sinjalin ngaqë duket se është përmbysur maltretimshëm në dysheme, por mbi të gjitha dëgjohet vaji dhe dëneset e pa ndalura të dy fëmijëve të moshave 4 e 6 vjet, që qëndrojnë të tretur e të shastisur pranë trupit të palëvizshëm e të përgjakur të nënës së tyre, duke bërë përpjekje që ta shtyjnë të përmendet ajo. Por një hungërimë e një burri të pirë xurxull që qëndron i ulur në kanapenë pranë dritares, me shishen e rakisë gati të zbrazët në dorë e me një këmishë të shkopsitur e të shlyere me gjak i bënë të stepen. – Heshtni, mos të ju ndi më zërin, heshtni kur ju them … babai i juaj jam unë … dhe në shtëpiiinnn time bëjë ç’të dua unë … (një pauzë. Pastaj burri fillon të mërmërisë me veten përderisa fëmijët të lemerisur nuk mund të ndalin të dënesurat), – (me gjysmë zëri si për vete): Megjithëse me i than vetit burrë e me ngrit zërin në ju, s’po me jep ndjenja te burrërisë. Burri ngre thellë tymin e duhanit dhe vazhdon ti flasë përçartash e me ndërprerje, nga gjuha e tij e trashur tanimë nga alkooli i tepruar, gruas së shtrirë në dysheme : – Ngrihu, ngrihu e me sjell edhe një pije, e mos u shtjer se te kam lënduar rënd, oj kamerierja ime, e më lejo ta festoj i dehur të paktën burracakllykun tim, sepse sot vendosa që ti numëroj edhe … edhe sa herë vura dorë mbi ty … Eh, edhe kjo gotë që me rri përball e qe me duket sikur po me bënë shoqëri po me shikon me përbuzje duke më mallkuar, fyer e sha se çfarë pijaneci tape jam bërë. Si kur të kishte gojë gota, ndoshta, ndoshta edhe do më pështynte duke mi numëruar edhe shkelmat, boksat, prerjet e shtrëngimet që për pak i harrova oj kameriere … ngrihu oj kameriere (bërtet sërish burri i çaraveshur), ma sjellë tërë shishen, kur të them, se kjo gotë u mbush e u stërmbush me mllef e marrëzira, dobësi e pispillosje që po i dëgjon nga unë, ato që ti bëra … (dhe ngre edhe një fyt të thellë nga shishja që gati ka arritur në fund). Kamerierja e ime … ngrihu e bëje pagesën kur të them, … mbaje edhe kusurin, jo pse kam shumë po nuk dua të kem asgjë më! Këtë shishe po e marr sepse sot dua ta, ta vizitoj atë … atë tjetrën, që më pret në mesin e shoqeve të veta, sa herë të dua, pa forcë, pa zë … pa asgjë … Burri i çaraveshur vazhdon ta përdhel shishen si i çmendur: – por sidoqoftë, këtë shishe me ujë që buron nga ferri … dua ta pi ballë për ballë me ty … Që kur të flas, ti, të paktën kësaj radhe nuk më flet, nuk do mundesh më të mi heqësh duart sa herë që unë doja të shfryja epshin tim, kurdo që më qohej … Kur ai heton se ajo nuk ka më ndjenja … frikësohet dhe fillon të ndërroj të folurit: – Zemër ngrihu … ngrihu ta ngremë një dolli edhe një herë, në takimin tonë të fundit, e pastaj, si duket, do shihemi vetëm nga distanca, ti në parajse e unë ne ferr … Burracaku sërish e qon një fyt e fillon të përçyrravet duke qare: – E pse nuk po më flet apo ndoshta je hidhëruar në mua, … unë të kam pas thënë të mos mbrohesh kur të të sjellë, … ngrihu, ngrihu te lutem, ç’ju bëjë tani fëmijëve, unë nuk e desha këtë … – Çfarë bëra unë kështu? … – Ti te paktën je në adresën e duhur, aty ku shkojnë engjëjt, edhe pse gjaku nga plaga po të rrjedhë … Nga larg dëgjohen të ofrohen me shpejtësi sirenat e makinave të policisë. Burracaku me ti dëgjuar ato, duket se kthjellet pak. – Tash po largohem edhe unë, se tani ma nuk e bëjë dot , nuk mund t’ia bëjë vetës të njëjtën që ta bëra ty, dhembjen e thikës, atë që e përjetove dy herë më rëndë ti, ngase e bëra në prani të fëmijëve, para Andit dhe Ditës, duke ju paralizuar të ardhmen e tyre … Ai tani duket që sërish e merr veten: – Mirë, mirë … tani është vonë. – Erdhi koha që të paguaj edhe unë për mëkatet e mija. (Nxjerr revolen dhe e ofron pranë kokës, por dora fillon ti dridhet dhe e ulë me shpejtësi), … – Hmmmm … pata harruar që jam qyqarë unë. Ku më mbeti tani burrëria! Dëgjohet zilja e derës. Pastaj një zë i fuqishëm: – POLICIA KËTU. HAPENI DERËN! Fiken dritat … errësirë … dëgjohet thyerja e derës …