fbpx
Mbetëm jetimë pa nënë dhe pa baba , Jeta shumë e veshtirë

Mbetëm jetimë pa nënë dhe pa baba , Jeta shumë e veshtirë…


Mbetëm jetimë pa nënë dhe pa baba , Jeta shumë e veshtirë –  Në faqen tuaj kam lexuar shumë histori të dhimbshme, të cilat kanë lënë gjurmë te personat që i kanë jetuar ato. Edhe unë dua të jem personazh i historive nga jeta, pikërisht me historinë e familjes sime.Fshati ku unë jetoj është komunë. Mund t’ju them se familja ime ishte shumë e lumtur, ne jemi tre fëmijë që jetonim në harmoni dhe shumë të lumtur derisa na ra një hall shumë i madh në familje. Mamaja filloi të kishte shenjat e para të një tumori në gjoks. Ajo ishte vetëm pesëdhjetë vjeçe dhe ne fëmijët ishim në shkollë të mesme. Ne jetonim vetëm me rrogën e babait tonë. Ai kishte 20 vjet që punonte në punë shteti, ndante pensionet, si dhe mbante lekët e energjisë elektrike për gjithë komunën dhe fshatrat përreth. Asnjëherë nuk i kishte dalë asnjë gjysmë llafi për punën e tij në këto 20 vite, gjithmonë kishte punuar me ndershmëri dhe korrektësi. Por e keqja, thoshte gjyshja ime, të shtyn t’i bësh të gjitha maskarallëqet. Për familjen tonë filloi një jetë e vështirë, mami filloi të bënte vizita dhe herë pas here ajo duhej të shkonte në Tiranë. Ne jetonim shumë larg nga Tirana dhe kjo na kushtonte shumë. Kishte raste kur mami na thoshte: “Më lini këtu të vdes, mos më torturoni rrugëve”, por babi e kishte të pamundur të rrinte dhe ta shikonte atë që vuante nga dhembjet që i shkaktonte ajo sëmundje e mallkuar. Jeta në familjen tonë po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Të gjithë qanim kur shikonim mamin të vuante nga ajo sëmundje e pashërueshme. Ajo në sytë tanë tregohej shumë e fortë, na mblidhte të treve në shtratin e saj dhe na këshillonte që të ishim fëmijë të mbarë dhe të gjenim rrugën e jetës në mënyrë të ndershme e të denjë për familjen tonë. Ajo e ndjente se shumë shpejt do të ikte nga kjo jetë dhe përpiqej që çdo ditë të na qetësonte me këshillat e saj.“Nuk dua që asnjërit prej jush që po lexoni këtë histori t’ju ndodhë një gjë e tillë në jetë, është sikur po vdes çdo ditë e nga pak, bashkë me njeriun më të shtrenjtë”, na thoshte.Babi nuk la spital dhe doktor pa e çuar mamanë tonë, madje tre muaj mamaja qëndroi në spitalet italiane për të bërë kimioterapi, por as kjo gjë nuk shërbeu për ta përmirësuar shëndetin e saj. Sëmundja ishte përhapur dhe ajo nuk mundi ta kapte në kohën e duhur. Të gjitha këto tentativa që po bënte babai ynë kërkonin kohë edhe para, por ai kurrë nuk na tregonte se ku i gjente të gjitha këto lek që shpenzonte, as nënës nuk i tregonte. Ai na thoshte se ishte xhaxhai ynë që jetonte në Itali ai që na ndihmonte me lek për të gjitha këto shërbime. Shumë u munduam për ta mbajtur në jetë nënën, por ishte e kotë. Ishte pikërisht një ditë pranvere, dita kur nëna jonë iku nga kjo jetë. Qamë dhe vajtuam, sa shpirti ynë e di, po ne nuk e dinim se hallet më të mëdha do të na dilnin me vdekjen e nënës. Çdo ditë babai ynë kthehej nga puna shumë i mërzitur. Muajt e parë e kuptonim që të gjithë këtë mërzitje ai e kishte nga vdekja e nënës sonë, por kur muajt po kalonin, filluam të bëheshim shumë merak për të. Ne shkonim në shkollë, ndërsa ai paraditen punonte duke shpërndante pensionet dhe pasditeve shkonte mblidhte bimë mjekësore.Na krijohej përshtypja se ai po punonte më shumë se ç’duhej, por arsyen e vërtetë nuk e dinim, mendonim se ai kishte hyrë në borxhe te i vëllai për punën e mamasë sonë, por në fakt nuk ishte kjo arsyeja. Babi po punonte shumë dhe ushqehej shumë pak. Dukej sikur atë e mundonte një hall i madh, që nuk po i jepte dot zgjidhje. Këtë gjë e kishim kuptuar edhe ne fëmijët e tij. Disa here i ishim lutur që të na tregonte arsyen e vërtetë të trishtimit dhe orëve të zgjatura të punës, por ishte e kotë, ai nuk na tregonte. Ai mendonte se ne ishim akoma të vegjël dhe nuk e kuptonim dot gjithë barrën e halleve që po e mbante vetë në sup. Gjatë verës, kur mbaruam shkollën, ne iu bëmë krah babait tonë dhe nuk e lamë vetëm, por shkonim me të për të mbledhur bimë mjekësore. Megjithatë, ai prapë nuk ishte i kënaqur… Ne nuk e kishim idenë në sa borxhe kishte hyrë babai ynë. Këtë gjë filluam ta merrnim vesh vetëm kur në shtëpinë tonë po trokisnin njerëz të njohur dhe të panjohur, të cilët kërkonin babin tonë orar e pa orar. Në fshat filluan të qarkullonin thashetheme se babai ynë kishte përdorur lekët e pensionistëve për të kuruar nënën tonë. Nuk kishte turp më të madh sesa kur dëgjonim gjëra të tilla. Një ditë në shtëpinë tonë trokiti policia. Një nga bashkëfshatarët e kishte denoncuar babanë për përvetësim në postin e punës. Ky jetonte jashtë vendit dhe nuk na i dinte hallet që ne kishim kaluar. Ai kishte dy vjet që jetonte te djali në Itali dhe prej dy vitesh nuk kishte marrë pension. Kur erdhi për t’i marrë, babi ishte i papërgatitur, pasi i kishte harxhuar për hallin e mamit.Si ky rast kishte edhe raste të tjera, por njerëzit, duke e ditur hallin që na kishte rënë dhe duke e njohur babanë tonë që ishte njeri i ndershëm dhe që një ditë do t’ua kthente lekët, nuk kishin dashur ta denonconin. Personi i cili e denoncoi babanë tonë, e tërhoqi denoncimin një ditë më vonë, pasi babai i kishte thënë se “duhet të më lësh të dal, që t’i bëj lekët duke punuar, ndryshe nuk ke për t’i marrë ato lekë”. Edhe pse ishim të vegjël, ne kuptonim shumë. Babai ynë ishte me të vërtetë tmerrësisht i mërzitur dhe gjithmonë rrinte në mendime. Asnjë nuk guxonte t’i fliste, ne donim që ai të rrinte në qetësinë e tij. Sado që mundoheshim t’i bëheshim krah, ishte e pamundur që të bëheshin lekët që ai kishte shpenzuar. Por, kulmin gjithë kjo histori e pati kur babai kishte vendosur t’i jepte fund jetës së tij.Një ditë vëllai kishte ardhur shpejt nga shkolla, pasi siç na tregoi ai, nuk kishte qenë mirë me shëndetin. Si duket, ai e kishte ndier se në shtëpinë tonë po ndodhte diçka. Ai kishte shkuar në shtëpi, kishte kërkuar babin, por nuk e kishte gjetur aty. Mbas disa çastesh kishte dëgjuar një zhurmë dhe britmën e babait. Menjëherë shkoi në kasolle dhe kishte parë babanë, i cili kishte tentuar të varte veten. Vëllai kishte bërtitur me të madhe dhe ishte mbledhur gjithë lagjja, që e kishin shpëtuar babanë tonë. Ajo që përjetuam ishte më e dhimbshme se vdekja e nënës. Nuk dinim se si të silleshim me babanë tonë, i cili e kishte humbur fare arsyen. Imagjino që nuk i hynim në sy as ne, fëmijët e tij. Ai nuk e mendonte se ne do të mbeteshim jetimë dhe përveç kësaj, ai do na linte për gjithë jetën tonë me borxhe dhe me turp. Mbas asaj skene tmerruese që kishte parë, vëllai nuk ishte më si më parë dhe e ndiqte babanë në çdo hap që ai hidhte, por me sa duket, babai ynë e kishte vendosur që në një mënyrë apo në një tjetër të shkonte nga kjo botë. Ai kishte vendosur të ndiqte një mënyrë tjetër; nuk hante ushqim fare, edhe pse ne i luteshim. Edhe pse ai bënte sikur hante, ne përsëri e kuptonim që ai nuk ishte më i pari. Të gjithë njerëzit i flisnin dhe i thoshin “mendo për fëmijët”, por ai nuk ua vinte veshin fjalëve të njerëzve, as lutjeve tona. Mbas një viti ndodhi ajo që ne e prisnim, babai ynë vdiq. Ai u dobësua aq shumë nga meraku sa njerëzit habiteshin kur e shikonin.Me vdekjen e tij, ne mbetëm jetimë, pa nënë dhe pa babë. Pas vdekjes së babait tonë, askush nga personat qe ne i kishim borxhe, nuk ka ardhur më të trokasë në derën tonë. Arsyeja e vetme është sepse ata e dinin që ne nuk kishim mundësi t’ua kthenim lekët dhe për më tepër, kishin frikë se mos ndoshta nga presioni i tyre, ne mund të bënim të njëjtën gjë që bëri edhe babi. Mbas vdekjes së tij, njerëzit e fshatit u bënë shumë të ndjeshëm ndaj nesh dhe ata gjithmonë na kanë ndenjur pranë, duke na ndihmuar edhe nga ana ekonomike, edhe morale. U desh që të vdiste babai ynë, që njerëzit të ndërgjegjësoheshin duke na liruar nga detyrimet që kishim ndaj tyre.Mbetëm jetimë pa nënë dhe pa baba , Jeta shumë e veshtirë