fbpx

U paralizua kur ishte katër vjeqe…


Historia që do t’ju tregoj është pak më e dhimbshme se të tjerat! Ju kam treguar për shumë pacientë, jam munduar të përcjell te ju dhimbjen e tyre, por edhe optimizmin me të cilin ata po e përballojnë jetën, por pacienti i sotëm është një vajzë e vogël që sapo ka mbushur 5 vjeçe. Kishte një fytyrë engjëllore dhe mjaft të bukur. Ishte një fëmijë i rralllë që po ta shikoje, menjëherë do të dëshiroje ta puthje e të flisje me të. Ajo erdhi së bashku me nënën e saj, një grua rreth të 30-tave, që kur e shikoje, të dukej se mbante mbi supe një mal të rëndë, një grua në dukje e ashpër, por me një ashpëri që mund ta kuptonte çdo njeri. Ajo dukej se e përjetonte mjaft rëndë sëmundjen e së bijës. Më vinte keq për të, por më shumë, për vajzën e vogël. Kur e shikoja në atë karrocë me rrota, e kuptoja se sa e padrejtë është jeta, mirëpo ndryshe nga e ëma, ajo ishte gjithmonë e buzëqeshur. Kur e ëma po fliste me doktorin, iu afrova dhe e pyeta se sa vjeç ishte. Ajo shikoi nga e ëma e më tha:
– Pesë! Po ti?Në fakt, u habita nga pyetja e saj, sepse s’e prisja të më pyeste dhe menjëherë ia ktheva përgjigjen. Ajo ishte një fëmijë shumë i dashur dhe tani kuptova se ishte edhe shumë e afrueshme. Jo të gjithë fëmijët janë të afrueshëm me njerëzit që sapo i shohin, prandaj më bëri shumë përshtypje.– Si e ke emrin ti, bukuroshe?– Manjola. Po ti?Në këtë çast u afrua e ëma dhe unë, duke iu përgjigjur vajzës, i thashë së ëmës:– Nuk të vjen keq që fola pak me vogëlushen tënde?– Jo, aspak! Ajo ka shumë qejf të flasë me njerëzit…– Po, e pashë. Është një fëmijë shumë i veçantë.– Ashtu është! Jam me fat që e kam.Në fakt, ajo nga zëri dukej se po e vuante shumë këtë. Ende nuk e dija nëse vajza kishte lindur ashtu apo ishte paralizuar më pas, por intuita më tha se kjo e dyta mund të ishte e vërteta. Nëse vajza do të kishte lindur ashtu, e ëma do ta kishte kaluar tashmë kohën e traumës. Nejse, me kaq, ajo u largua duke më përshëndetur ftohtë.E dija se e kishte shumë të vështirë, por më dhimbsej vajza e vogël. Përderisa isha edhe vetë e sëmurë, e dija se ajo më shumë sesa për përkujdesje klinike, kishte nevojë për ngrohtësi e sidomos, për ngrohtësinë e nënës së saj. Vendosa të ndryshoja mendimin e kësaj gruaje, për atë që i kishte ndodhur. Kur u mblodhëm pasdite ne të grupit e po bisedonim siç bënim gjithmonë, që të ndiheshim mirë psikologjikisht, ua tregova rastin e ri. Të gjithë ishin dakord që ta ndihmonim, por si do t’i mbushej mendja të vinte e të hapej me ne? Këtë nuk e dija, por besoja se do të arrija ta bindja.Të nesërmen, kur ajo erdhi në klinikë, i isha lutur infermieres të bënte sikur kishte ngatërruar orën e fizioterapisë sime me të vajzës së vogël.– Mirëdita! Vajza ka orarin e fizioterapisë. – i tha ajo infermieres.– Oh, më falni, nuk ju kanë lajmëruar? – luante rolin infermierja. Ajo ishte një infermiere shumë e mirë dhe e zonja e nuk bënte të tilla gjëra, por kur unë i shpjegova se ishte për të mirën e vajzës, pranoi menjëherë. – Ju keni një orar tjetër, sepse ajo zonja atje kishte një punë dhe i kemi ndërruar oraret.Gruaja u nxeh shumë:– Me kë luani ju? Pse nuk më keni lajmëruar? Me gjithë ato lekë që na merrni dhe prapë se prapë nuk na shërbeni si duhet!– Më falni zonjë, por… – infemierja mundohej ta zbuste gjendjen, por ajo nuk e la të fliste.– Ç’është kjo, më falni? Nuk ju vjen turp që talleni me të sëmurët?! Mjaft të këqija na kanë rënë e të merremi edhe me ju! Nejse, më thirr atë që komandon këtu se nuk dua të merrem me ty.Aty e kuptova se erdhi radha ime për të folur.– Ju lutem zonjë, uluni e qetësohuni. Faji është i imi që i kam lajmëruar vonë.– E ç’më duhet mua se ç’bën ti?– Po ja, zonjë, unë ta fal orarin tim, vetëm të lutem, mos u nxeh me infermieren. Ajo është një grua e rrallë, nuk asnjë faj…– Ç’po më thua që ta marr vesh? Lëre se kush është e mirë apo e keqe, do ma japësh orarin tënd apo jo?– Po, zonjë, futeni vajzën. S’ka problem.– Epo, këtë thuaj e lëri të tjerat, se nuk kam nerva të të dëgjoj.Më në fund, u qetësua. Ndërkohë, pashë vajzën e vogël që ishte strukur në karrocë e dukej se nuk ishte hera e parë që po e përjetontë një situatë të tillë. Infermierja e mori vajzën dhe në atë çast, unë u ula pranë zonjës. Ajo më pa njëherë shtrembër dhe nxori telefonin e saj nga xhepi. Nuk ngurrova t’i flisja.– E di se është shumë e vështirë për ju, zonjë! Edhe unë nuk e pata të lehtë kur më ndodhi kjo.Unë po flisja, por ajo nuk i ngriti sytë nga telefoni. E dija se po më dëgjonte, prandaj nuk e ndalova të folurën.– Kur mbarova operacionin dhe nuk i ndjeva më këmbët e mia, doja vetëm të vdisja, por ja, tani, me shpresë dhe optimizëm, jam këtu. Edhe unë kam një fëmijë e po të më ndodhte një gjë e tillë do ta kisha shumë herë më të vështirë sesa për veten, por ata kanë nevojë për dashuri nga ne.Në atë çast, ajo ngriti kokën e më tha:– Më the se ke fëmijë? E ke të lehtë të flasësh përderisa fëminë tënd e ke në rregull.– Po edhe vajza jote në rregull është! Si mund të thuash kështu? Nuk jemi normalë ne që nuk ecim?– Nuk e thashë në atë kuptim. Po them se është shumë e vështirë. Nuk mund ta shpjegoj me fjalë se si ndjehem…– Po shprehu, se të bën shumë mirë. Unë po të dëgjoj dhe beso se do të të kuptoj çdo fjalë, sepse i kam kaluar të gjitha.– Po ja! Manjola ishte një fëmijë i mrekullueshëm… Që në momentin që ngela shtatzënë, e ndjeja se ajo do të ishte shpëtimi im, sepse sapo isha ndarë nga i ati. Ishim njohur që në gjimnaz dhe duheshim shumë, por sapo i thashë se isha shtatzënë, ai më dha duart. Tha se do të shkonte të bënte një master jashtë shtetit dhe për këtë, i duhej të largohej. Ai u largua e nuk u kthye më. Kur lindi Manjola, trishtimi i largimit të tij u zhduk dhe jeta ime u mbush përsëri me gëzim. Ishte një fëmijë magjik, por edhe magjitë nuk zgjasin shumë. Më ndihmuan prindërit ta rrisja në fillim dhe më pas u njoha me një njeri shumë të mirë. Ai nuk ishte i ri në moshë, por na donte shumë dhe mundohej me çdo kusht ta na i plotësonte të gjitha dëshirat të dyjave. Manjola e donte shumë dhe më shumë rrinte me të sesa me mua.– Pse thua e donte… ku është tani ai? – i thashë sepse u bëra kurioze që nuk e kisha parë asnjëherë me të.– Ka një vit që jam ndarë prej tij. Kur u sëmur Manjola, ai ishte i gatshëm të na ndihmonte, por unë nuk doja t’i bëhesha barrë; mjaft kishte bërë për ne.– Dhe ai u largua menjëherë sapo ti ia kërkove?– Jo! Ai akoma tenton të bashkohet me mua, por unë nuk e lejoj.– Po Manjola, si e priti këtë? Shumë keq. Ajo e donte shumë dhe e do akoma.– E kupton se çfarë i ke bërë vajzës?– E kuptoj, por s’kisha rrugë tjetër. Duhej ta largoja.– Por ke gabuar! Më fal, se nuk më takon mua ta them, por Manjola besoj se do të ishte më mirë po ta takoje me të. Ajo e do si një baba dhe ka nevojë për dashuri.– Nganjëherë dhe unë kështu them, por e kam shumë të vështirë të përulem.Ajo mori frymë thellë dhe e kuptova se nuk kishte më qejf të vazhdonte. Në atë kohë, vajza kishte mbaruar terapinë dhe doli nga dhoma e shoqëruar nga infermierja. Si gjithmonë, ishte duke buzëqeshur. E ëma i kërkoi të falur infermieres dhe, pasi e mori vajzën, i tha:– Kam një surprizë për ty, zemër.Vajza pa nga unë dhe më buzëqeshi.– Faleminderit mami! – tha ajo, sikur ta dinte se cila ishte surpriza.– Pasdite kemi takim me të gjithë pacientët, ia kalojmë bukur bashkë. Bisedojmë e ndihemi shumë mirë. Po deshe mund të vish… – i thashë.– Do të mendohem njëherë.Dukej se ishte një tip i vështirë, por jeta e kishte bërë të tillë. Pasditen e parë ajo nuk erdhi. Kur e takova në klinikë, më tha se ishte takuar me burrin me të cilin kishte patur një lidhje dhe më falënderoi se kuptoi që vajza kishte humbur diçka shumë të madhe nga ndarja prej tij.– Sot do të vij në takimin tuaj! – më tha dhe e mbajti fjalën. Ajo erdhi e na tregoi se si kishte ndodhur. Kur Manjola ishte rreth katër vjeçe, edukatoret e kishin marrë në telefon dhe i kishin thënë që kishte temperaturë. Menjëherë e kishte marrë edhe e kishte dërguar në spital. Mjekët ishin munduar t’ia ulnin temperaturën dhe kishin përdorur ilaçe të forta. Menjëherë pas kësaj, asaj i kishte ndodhur një paralizë, nga e cila akoma nuk e kishte marrë veten, mirëpo tashmë e ëma ishte e bindur se me dashurinë e duhur, ajo do të shërohej dhe do të ecte përsëri.