fbpx

Nënën time e lashë për një femër që…


Nënën time e lashë për një femër që –  Unë që po ju shkruaj, jam Aldo. E di që ndoshta nuk jeni mësuar me idenë që meshkujt të vuajnë në dashuri, por ja që unë jam një nga ata meshkuj që e ka përjetuar shumë keq historinë me një vajzë që e kam dashur tej mase. Kemi qenë për disa vite të lidhur së bashku dhe ato kanë qenë vite të paharrueshme për mua. Ajo femër do të mbetet thellë në zemrën time, pasi ka qenë tepër e veçantë. Edhe mënyra se si jemi njohur, ka qenë e veçantë. Unë isha i ftuar në dasmën e një shokut tim dhe ai e kishte organizuar me shoqërues. Do të kishte shoqërues edhe nga dhëndrri, edhe nga nusja. E fejuara e shokut tim kishte zgjedhur shoqet e saj të ngushta, por edhe një kushërirën e saj që ishte rritur me të. Ajo kishte ardhur nga Anglia, enkas për dasmën e saj. Ne, herë pas here, e ngacmonim shokun tonë pasi ishte i pari nga ne që do të martohej. Unë dhe Ada jemi dashuruar me shikim të parë. Nuk e di përse më vajtën sytë tek ajo femër. Më tërhoqi shumë, pasi ishte e vetmja që rrezatonte mirësi. Kishte buzë shumë mishtore dhe një fytyrë prej engjëlli. Ishte shumë e thjeshtë në komunikim dhe në sjellje. Që nga ai moment, nuk i jam ndarë. Ajo ishte e ndrojtur dhe kishte një fisnikëri që më pengonte t’i afrohesha dhe ta ngacmoja. Ada ishte tipi i femrës që ta impononte respektin, si me mënyrën e qëndrimit, ashtu edhe me veshjen e saj. Më ngjasonte si ato princeshat në përralla. Nuk durova dhe e komplimentova për të dalë nga situata ku isha futur, pasi më dukej vetja sikur kisha depërtuar në një labirint dhe nuk do të gjeja kurrë rrugën për të dalë. Ajo qeshi dhe i rrezatonte fytyra. Përgjigjja ishte siç e kisha menduar, pasi ajo ishte rritur në një ambient krejt tjetër, por e kishte ruajtur të gjithë sjelljen shqiptare. Prindërit e saj kishin punuar dhe kishin investuar shumë për të, edhe pse ajo kishte ikur shumë e vogël në Angli. Ajo në Shqipëri do të rrinte vetëm tre muajt e verës pasi kishte pushimet dhe në tetor e fillonte kolegjin. Unë në atë kohë isha në një punë ku kisha të ardhura të mira, por jo për të bërë jetë luksi. E kisha shumë të vështirë t’ua tregoja shokëve të mi këtë ndjesi që kisha filluar të provoja, ndryshe nga më parë. Doja shumë ta mbaja për vete dhe ta ruaja me fanatizëm.Dita e dasmës po afronte dhe ne takoheshim shpesh, pasi kishim përgatitur një lloj kërcimi për çiftin, që do të ishte surprizë dhe takoheshim tek lokali i një shokut tonë të përbashkët. Dasma ishte vetëm në një ditë për të dy, ndryshe nga çfarë e kemi zakon ne shqiptarët. Ato ditë kanë kaluar shumë bukur, pasi mezi prisja të mbaroja punën dhe të takoja Adën. Mundohesha ta bëja për vete duke i bërë surpriza të vogla. E shikoja që dhe ajo kishte ndjesi të mira për mua, pasi sa herë që e shikoja, asaj i shkëlqenin sytë dhe sikur donte të thoshte diçka. Ajo ishte shumë e zgjuar, por edhe e pafajshme si femër. Më është dhënë rasti të njoh shumë femra, por si Ada, jo. Ishte unike në gjithçka që kishte e bënte dhe mua më dukej vetja sikur po përjetoja një ëndërr dhe sikur po e përjetoja në realitet atë gjë. E dija që nuk do të ishte për shumë kohë, por doja të shijoja çdo moment me të, sikur të ishte dita ime e fundit. Kisha gjetur atë që unë kam dashur gjithmonë te një femër; thjeshtësinë pastërtinë, ndershmërinë dhe zgjuarsinë. Ditët kaluan shumë, deri në momentin që erdhi dita të largohej. Ishte një ditë shumë e trishtuar për të dy. Nuk e kisha menduar kurrsesi që do ta përjetoja kaq keq. Asgjë nuk më hynte më në sy, pasi iku Ada. U mësuam shumë keq me njëri-tjetrin pasi kalonim shumë kohë së bashku dhe ndanim momente shumë të bukura e të paharrueshme. Doja të bëja përpjekje për të ikur tek ajo, por nuk i kisha mundësitë ekonomike për këtë gjë. Nuk më rrihej në Shqipëri, mendjen ma kishte marrë komplet Ada, flisnim në internet, por ishte e pamjaftueshme për ne të dy. Po çmendesha që nuk e kisha afër atë vajzë!Njeriu është një qenie shumë e çuditshme… E si nuk mund të rrish pa dikë që ke vetëm 3 muaj që e njeh? Ato ditë kanë qenë shumë të vështira për mua. Pas tre vitesh, unë pata mundësi për të lëvizur jashtë shtetit, pasi kisha kursyer vetëm që të shkoja ta takoja, por atë vit, babai im ndërroi jetë nga një ishemi cerebrale. Ishte diçka e papritur dhe unë nuk mund të largohesha në ato momente, pasi nëna kishte shumë nevojë për mua. Unë isha fëmija i tyre i vetëm dhe nuk mund të largohesha. I lutesha Adës që të vinte ajo, por ajo e kishte të pamundur pasi kishte ndërtuar jetën e saj atje dhe nuk do të ambientohej dot në Shqipëri. Unë isha i dëshpëruar dhe doja të ikja tek ajo, por kisha nënën vetëm. Pasi ia shpjegova hallin nënës sime, ajo më dha bekimin me lot në sy që të shikoja jetën time. Ia premtova që nuk do ta lija të jetonte vetëm, sapo të rregullohesha do ta merrja edhe atë andej. Mezi u nisa dhe mora rrugën për në parajsën e shumëpritur, por kur shkova, gjeta ferrin. Ada ishte ftohur shumë dhe nuk e kishte më atë afrimitet si më parë. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte me të, por pastaj ajo më tha se ishte lidhur me një anglez dhe mua sa nuk më ra pika. Nuk isha ndjerë kurrë ashtu më parë. Ndjehesha i tradhtuar, i zhgënjyer dhe i paaftë për asnjë gjë, më preu krahët. Doja ta vrisja me duart e mia, por nuk kisha fuqinë e duhur. Më dukej sikur gjithçka ishte ëndërr dhe ajo kishte qenë një fasadë shumë e bukur për të qenë realitet. Nuk më mbante më asgjë në Angli dhe u ktheva te nëna ime, duke mos pasur guximin për të dashuruar kurrë më një femër. Jam betuar që të jem një beqar i përjetshëm, pasi sakrificat janë të kota. Pas gjendjes që kalova, m’u desh gati një vit të merrja veten. Jam lidhur me vajza të tjera, por ka qenë diçka kalimtare e nuk jam dashuruar. Zemrës time i kam vënë një gur dhe nuk do të dashurohem kurrë më. Nuk mund të besoj më te një femër, pasi e doja Adën me gjithë shpirt dhe nuk e prisja të më ndodhte diçka e tillë. Nënën time e lashë për një femër që