fbpx
Mësues mos shkoni ju lutem

Mësues mos shkoni ju lutem,mos shkoni e mos na leni vetëm pa shkollë e pa dije…


Mësues mos shkoni ju lutem,mos shkoni e mos na leni vetëm pa shkollë e pa dije…Në klasën time për ç’do ditë po shpërnguleshin nxënës, ata merrnin me vete fletëlëshim nga shkolla për bashkim familjarë. Iku Rroni, Trimi, Eminja, madje sot shkoi edhe Elifi të gjithë një nga një po shkonin. Si duket do mbesim vetë unë dhe mësuesi! Klasa po zbrazej s’kishte shpresë për askënd nga ne. Madje i thonin edhe mësuesit se këtu s’mund të jetonin më, do të shkonin në mërgim për jetë më të mirë. Para disa dite axha mbylli shtëpinë, mbuloi mobiliet dhe na luti që herë pas here të kujdeseshim. Më rrodhën lotët, edhe axhës! Por, ata tani kishin marrë vizë pune dhe këtë ditë e kishin pritur moti Të enjten në shkollë nuk ishte as Endriti, kishin shkuar me familjen në mërgim. Në fejsbuk kishte publikuar foto nga Mynihu(München)… në klasë tani kishim 13 nxënës nga 32 sa ishim vjet. Mësuesi po ashtu kishte marë një vizë pune në mërgim. Ma kishte thënë Trimi se kishte takuar mësuesin para ambasadës duke pritur. Vetë me vete thoja se mësuesi nuk shkon! Më kujtohet babi që ishte mësues, sa herë merrte rogën gëzohej vetëm dy ditë bashkë me ne. Tani që është në pension edhe më rëndë. Por mësuesi im nuk do shkonte, kështu i thoja vetes duke mos menduar fëmijët e mësuesit të cilët ishin po si unë dhe me po të njëjtat dëshira. Zilja binte, orët shkonin një pas një… ishte ora e fundit e ditës së enjte! Mësuesi doli nga klasa kokulur dhe u nis për në zyrën e drejtorit. Kjo ecje e tij më këputi zemrën e dija që mësuesi nuk do të vinte më… ai do të shkonte për jetë më të mirë. Ai do të shkonte atje ku mësuesi ka dinjitet, krenari dhe peshën e tij. Do të shkonte atje ku prindi nuk e shanë në telefon e as ku deputeti e miku nuk të bëjnë presion për një notë për nxënësin që shanë dhe xhiron me telefon mësuesin. Mësuesi mbërriti para zyrës! Trokiti si ai ishte edukuar dhe hyri në zyrën e drejtorit. Zemra më rihte shumë shpejt. U afrova nga kureshtja afër derës të dëgjoja se çfarë do të thonin… dera ishte pa mbyllur si duhet. Mësuesi i tha “drejtor përfunduam për sot, nesër e andej nuk do të vi më. Të shtunën nisem që të hënën të jem në punë”. Drejtori e përqafoi shumë, mua më plasën lotët sikur e ndjeja tërë ditën këtë. Nuk munda të mbaj veten dhe fillova me zë të qaj dhe me lendup dolën nga zyra drejtori me mësuesin e unë nuk u përmbajta dot e kapa për qafe dhe ju luta mësues të lutem mos shko, të lutem mos na lerë neve kush do të na mësoj… filloj dhe mësuesi të qajë por ai s’kishte faj. Faji ishte i këtij populli që mësuesin e katandisi. Që mësuesi vinte me këpucë të grisura, me një pallto tërë vitin, verë e dimër, që e zinte shiu e skish ombrellë, që prindi i bërtite në korridor e mësuesi kur nuk blinte ushqim në shkollë mbase roga si mjaftonte. Në fshat mësuesit i ndalej rryma sepse roga si mjaftonte për bukë. Por mësuesi im nuk u përul kurrë. Mësues mos shkoni ju lutem, mos shkoni e mos na leni vetëm pa shkollë e pa dije…