Babain e theva ne besë , Ishte dita me e keqe e jetes time kur

Babain e theva ne besë , Ishte dita me e keqe e jetes time kur…!

Babain e theva ne besë , Ishte dita me e keqe e jetes time kur – Unë që po ju shkruaj jam një vajzë nga një zonë shumë e thellë e Veriut, por preferoj që historinë time sot ta shkruaj në gjuhë letrare sepse shkolla për të cilën kam mbaruar është Gjuhë-Letërsi. Unë jam vajza e madhe e familjes dhe, mbas meje kam edhe pesë motra të tjera. Im atë kishte shumë dëshirë të bënte një djalë, por nuk mundi sepse është Zoti ai që vendos. Nga zona jonë është shumë e vështirë që një vajzë të shkojë në shkollë të lartë sepse sipas mentalitetit tonë, me daljen e vajzës nga shtëpia, ajo humbet nderin dhe bëhet rrugaçe. Im atë, para se unë të shkoja në shkollë të lartë, më tha vetëm dy fjalë: “Nëse do të më turpërosh, do të të vras vetë, me duart e mia” dhe unë iu betova se do ta ruaja nderin deri në fund dhe do të mësoja që të bëhesha dikush në jetë. Im atë nuk i kishte fjalët e shumta; ai, njëherë fliste, por kur fliste dridheshin edhe gurët dhe s’kishte faj. Ne ishim gjithë ato femra në shtëpi dhe duhej edhe burrëria. Ai ishte shumë serioz, madje këtë fakt e vunë re edhe shoqet e mia të dhomës ditën e parë, kur ai më shoqëroi për në konvikt. Në konvikt qëllova me dy vajza të shkëlqyera. Edhe pse vinim nga zona të ndryshme, kuptoheshim fare mirë, të trija ishim vajza studioze me një mesatare shumë të mirë e që nuk rendnim mbas pabeve, pijeve alkoolike apo kafeve. Kështu, vitet kalonin dhe njëra prej shoqeve zuri të dashur e pas një viti u fejua me të, ndërsa shoqja e dytë u fejua kur ishim në vitin e parë të masterit. Ndërsa unë, turp të thuash, po as vetullat nuk i hiqja, se ndryshe do të më quanin vajzë jo të mirë në vendin tim. Deri atëherë, nuk kisha pasur asnjë kërkesë për fejesë, as në fshat, as aty në Tiranë dhe unë i kisha qëndruar besnike porosisë së tim eti. Edhe në veshje kisha mbetur tipike vajzë fshati. Po kështu, nuk kisha përdorur asnjëherë tualet. Vajzat e dhomës më kritikonin gjithmonë se kështu nuk mund të ecja, se kisha shkuar në kryeqytet dhe duhet ta mbaja veten që t’i pëlqeja një mashkulli dhe, çdo ditë që kalonte, u jepja të drejtë, sepse askush nuk më ngacmonte dhe një fakt i tillë po më bënte të trishtohesha gjithnjë e më shumë. Nuk doja që të kthehesha përsëri në fshatin tim. Aty nuk mund të jetoja më, sidomos tani që e kisha kuptuar se si ishte jeta e vërtetë. Isha midis dy zjarreve; të përshtatesha me jetën që bëja në Tiranë, apo t’i qëndroja besnike fjalës që i kisha dhënë tim eti. Një ditë, teksa po kthehesha nga fshati im për në Tiranë, pashë se më kishte ardhur një sms në telefon: “Gëzuar Vitin e Ri”. Mendova mos ndoshta ishte ndonjëra nga shoqet e mia dhe e mora në telefon, por kur më doli një zë burri, e fika menjëherë telefonin, pa e pyetur se kush ishte. Që nga ai moment, ai njeri nuk pushonte duke m’i rënë telefonit. Unë, herë i përgjigjesha, herë jo. Në rastet kur i përgjigjesha, i kërkoja të më linte të qetë dhe të mos i binte më telefonit tim, por me kalimin e kohës, nuk di pse edhe kisha qejf që të flisja me të. Shoqet më thoshin se ishte më mirë të ndërroja numrin, sepse nuk i dihej me kë kisha të bëja, por mua po më pëlqente kjo lojë. Në fund të fundit, në telefon po flisnim dhe babai im nuk do ndihej keq se premtimin po e mbaja. Aty në fakultet kisha dëgjuar shumë vajza që ishin lidhur nga telefoni ose nga interneti, ndaj “ndoshta ma pruri edhe mua Zoti fatin në derë”, mendoja me vete. Kështu, bisedat në telefon me A. kishin filluar të merrnin rrugën e normalitetit. Në fillim, u prezantuam. Ai e kishte kuptuar që unë isha nga Veriu nga dialekti im, kurse ai për vete më tregoi emër e mbiemër dhe më tregoi se punonte laborant dentar në një klinikë turke. Deri në atë moment, gjërat kishin filluar të më pëlqenin shumë, ai kishte filluar të më merrte në telefon në çdo moment të ditës dhe të natës e unë gjithmonë dilja të flisja në ballkon sepse shoqeve të mia nuk u pëlqente që unë po e zgjasja më tepër seç duhej me këtë njeriun e telefonit. Mbasi kaloi një muaj që ne flisnim të telefon, pas shumë përpjekjesh nga ana e tij, vendosa ta takoja. Isha shumë në ankth se çfarë do të ndodhte me mua, shumë pyetje më vinin ndërmend… “A do të më pëlqejë? A do të jetë njeri i mirë?”… Ditën e takimit me të doja të vishja diçka të bukur që të dukesha sa më tërheqëse, por nuk dija si t’ua shpjegoja shoqeve, ndaj u thashë se do të shkoja në ditëlindjen e një kushëriri. Ato më besuan sepse as që e mendonin se unë mund të dilja për kafe me atë njeri. Vesha një fustan ngjyrë mente dhe bëra një tualet fare të lehtë. Shoqet u habitën me mua, se unë asnjëherë nuk isha rregulluar në atë mënyrë. Në takimin e parë, ai nuk më pëlqeu fare… Ai më kishte thënë se ishte 28 vjeç, por ngjante si 38, ishte shumë i shëndoshë dhe kishin filluar t’i binin flokët. Në takimin e parë nuk po ndihesha rehat dhe mendoja se sa shumë të gënjen telefoni, por nuk mund ta mohoj se nga mënyra se si fliste të krijonte një ndjenjë të çuditshme që më bëri të mos e merrja fare parasysh moshën dhe paraqitjen e tij. Kështu, takimi i parë u pasua edhe me takime të tjera. Ai kishte filluar të më shprehte dashurinë dhe unë kisha filluar të ndjehesha mirë me të. Shoqet e dhomës e kuptuan menjëherë se ne kishim filluar të dilnim dhe më thoshin se duhet të bëja kujdes pasi në kryeqytet nuk njihen njerëzit. Takim pas takimi, A. kishte filluar të kërkonte më shumë nga unë. Edhe pse unë ia kisha shpjeguar situatën, ai këmbëngulte duke më thënë se “kanë ndryshuar kohërat”. Dita kur unë u ndjeva më keq ishte pikërisht dita kur ai më puthi për herë të parë. Sigurisht, ishte një puthje e rrëmbyer prej tij, por atë natë nuk më ka zënë gjumi fare dhe isha mes dy alternativave, betimit që i kisha bërë babait dhe dashurisë së madhe që kisha për A.-në. Gjërat kishin arritur deri aty sa ai po kërkonte më shumë prej meje, madje më kishte premtuar se nëse unë do të isha e virgjër, ashtu si donte ai, do të fejohej me mua. Nuk dija se si të veproja. Edhe tre muaj më kishin mbetur nga mbarimi i vitit të fundit të masterit dhe mendoja: “Çfarë do të ndodhë me mua pas kësaj, në atë zonë të thellë?”. Kishin filluar kërkesat për motrën e dytë dhe mua më trembte fakti se pse nuk po më kërkonin mua, por atë, isha nën presionin e shumë gjërave, por më në fund, zgjodha rrugën më të shkurtër, duke iu dhënë A.-së. Mendova se kjo që po bëja ishte shpëtimi im i vetëm nga jeta që do të më priste në fshat. Natën e parë e kaluam në shtëpinë e një shoku të tij dhe ai fluturonte nga gëzimi që unë isha ashtu si ai më donte. Ai më puthte dhe nuk reshtte duke m’u betuar se unë do të isha nusja e tij. Kjo gjë më lumturonte jashtë mase. “Nuk ka rëndësi betimi që i bëra babait, në fund të fundit për mirë do të më dalë”, mendoja me veten time. Fakti që unë fjeta jashtë, u ra në sy shoqeve që të revoltuara më thanë: “Të daltë për mirë, por një njeri që të do, nuk të kërkon këto gjëra”, por mua më kishte pushtuar lumturia dhe fjalët e tyre as që më hynin në sy fare. Që prej asaj nate, gjërat sikur kishin filluar të ndryshonin mes nesh, unë rrija me të sa herë që ai më kërkonte, ndërsa ai akoma nuk po merrte një vendim për ne të dy. Ai justifikohej se “është akoma shpejt”, “kam frikë të fejohem që tani” e të tjera. Kur ua tregova shoqeve të gjithë këtë, ato filluan të dyshonin se ai mund të ishte i martuar dhe njërës prej tyre, që kishte një shok që punonte në gjendjen civile, i dhamë emrin e tij, të babait dhe mbiemrin. Dita më e zezë e jetës sime ishte kur përgjigjja e nëpunësit të gjendjes civile ishte se një person me këtë emër nuk ekzistonte fare. Nuk dija si të veproja. Nëse do t’ia thoja atij këtë fakt, ai do ta mohonte, ndaj vendosa t’i them: “O do të fejohemi bashkë, ose do fejohem me dikë që më ka kërkuar në familje”.Atëhere ai u ngrit, më kapi prej krahu me gjithë fuqinë e tij dhe më kërcënoi: “Bashkë do fejohemi kur të dua unë dhe jo ti, ndërsa ato gënjeshtrat e tua thuaja ndonjë tjetri se në këtë gjendje që je katandisur ti, në vendin tënd, nuk të merr njeri!”. Tani jeta ime është në një udhëkryq ku zgjedhja e rrugës nuk është më në dorën time. Të gjithë këtë që po heq, e meritoj sepse e theva në besë tim atë dhe tani do vuaj pasojat…Babain e theva ne besë , Ishte dita me e keqe e jetes time kur