fbpx
Askush mos e provoftë që prindi të përcjellë fëmijën në varreza

Askush mos e provoftë që prindi të përcjellë fëmijën në varreza…!


Askush mos e provoftë që prindi të përcjellë fëmijën në varreza – E nderuara faqe  Histori Të Jetës! Më duhet t’ju përgëzoj për hapësirën që u kushtoni historive tona, disa të lumtura e disa të trishta. Meqenëse këtë popull nuk e dëgjon politika për t’i zgjidhur ndonjë hall, të paktën ju keni mirësinë të na lejoni të qajmë brengat e familjeve tona.Jam gjashtëdhjetë e pesë vjeçe dhe jeta më ka përplasur ngado. Jam lindur e jam rritur në një fshat të Shqipërisë së Mesme. Sigurisht, jeta në fshat është e vështirë, por bëhet më e vështirë kur janë shumë fëmijë e akoma më e vështirë kur ata janë jetimë. Prindërit e mi kanë punuar në kooperativë dhe në ato pak orë që ata kalonin në shtëpi, përpiqeshin të punonin bahçen, ato rrënjë pemë që kishim, të mblidhnin bimë mjekësore që shiteshin në fund të verës. Gjithë këto sakrifica vetëm që të na ushqenin se asgjë tjetër nuk arrihej.Në kohën që janë martuar prindërit e mi, ishte koha kur njerëzit martoheshin të rinj. Mamaja ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe kur u martua e babai im ishte njëzet e një. Mamaja e lindi vëllain e madh kur ishte tetëmbëdhjetë vjeçe. Ishte djali i parë i shtëpisë, nipi i parë për gjyshërit e lumturia ka qenë e pamatë kur lindi ai. Sigurisht, nuk kanë festuar me kllounë apo si bëhen festat e sotshme, por me kushtet e fshatit të asaj kohe, festa ka qenë e madhe. Duke lindur fëmijë në çdo dy vite e gjysëm, kur mamaja ime u bë tridhjetë e dy vjeçe, ishte me tetë fëmijë. Babai im ishte tridhjetë e gjashtë. Në një foto të prindërve të mi, kur mamaja ishte tridhjetë e pesë vjeçe, duket si pesëdhjetë vjeçare. Të pasurit shumë fëmijë ka lodhjen e vet, por ka edhe të mirat e veta. Ata ishin fëmijë vetë kur u bënë prindër e kështu u rritëm të dyja palët bashkë. Babai, edhe pse shumë i ri kur u martua, ka qenë njeri i urtë. Nuk ka qenë shumë punëtor, por me mamanë time ia ka kaluar shumë mirë. E tregon edhe numri i fëmijëve, do të thoni ju. Ne u rritëm e shumë shpejt u bëmë krah për prindërit për punët rrotull shtëpisë.Vëllezërit që ishin më të mëdhenjtë na kanë rritur ne të vegjëlve, na kanë marrë rrugës për në shkollë, na kanë pritur në kthim. Kështu, ne gjashtë fëmijët e parë kemi mbaruar vetëm shkollën shtatëvjeçare. Dy vëllezërit e vegjël vazhduan edhe shkollën e mesme.Unë kam qenë katër vjeçe kur babai im mbaroi një kurs për të drejtuar një zetor dhe lumturohesha kur e shikoja babanë në rrugët e fshatit. Për dy-tri vite na dukej sikur kishim gjithçka që mund të jepte bota, sepse puna e babait ishte goxha më e mirë, por do të mbaronte shumë shpejt gjithçka. Në një ditë vjeshte me shtrëngatë do të ndodhte një aksident që i mori jetën kur ai ishte tridhjetë e nëntë vjeç. E mendoni dot se ç’hoqi mamaja ime me tetë fëmijë, me rrogën dhe pensionin e babait?! Më në fund, partia vuri dorën në zemër dhe mamanë e futën në punë në mencën e kooperativës, ku rroga ishte pak më e lartë dhe mund të merrte diçka. Vëllai im i madh ka filluar punë qysh kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Ashtu, me shumë përpjekje e vuajtje, mamaja na rriti.Dy vëllezërit vendosën të mos martoheshin shpejt dhe aq më tepër, pa martuar katër motrat që i kishin mbas vetes. Ndërkohë që edhe ne vajzat u rritëm dhe filluam nga motra e parë që u martua nëntëmbëdhjetë vjeçe e ne të treja mbas saj. Unë që isha vajza e fundit u martova kur isha njëzet vjeçe. Sigurisht që burrin ma gjeti familja. Vëllezërit e mi u rritën në fshat, po duke qenë se i mbajtën afër se mbetëm jetimë shumë shpejt, filluan të mendojnë ndryshe edhe për të ardhmen tonë. Ata na ndihmuan për të ndërtuar shtëpitë tona. Duke qenë se ishin bërë burra para kohe kishin mësuar të bënin gjithë llojet e punëve. Dy vëllezërit e mëdhenj kanë ngritur tulla e llaç në shtëpitë e të katërta ne motrave. Mua më ra fati të martohesha afër fshatit të prindërve. Familja ku u martova ishte po aq e madhe sa kjo që lashë të prindërit e mi. Burri im ishte vetë i nëntë vëllezër e motra e vetë ishte më i madhi.Zoti na ndihmoi dhe me fëmijë u bëmë vetëm pas katër vitesh martese, aq sa të gjithë kishin filluar të trembeshin se do të mbeteshim pa fëmijë. Ndërkohë, në këto katër vite u martuan edhe dy kunatat e mia. Kur u martua kunati, ne u ndamë e dolëm në një dhomë që e ndërtuam shpejt e shpejt para dasme. Atë dhomë e ndërtuan kunetërit bashkë me vëllezërit e mi dhe pas gjashtë muajsh, i sajuam dhe një banjë e një aneks. Burri im ishte djalë i mirë, por nursëz dhe xheloz. Unë, si vajzë fshati shumë e ndrojtur dhe e paditur, gjithë jetën e kam kaluar si nën komandë ushtarake, por nuk dua të ankohem për të, ai ishte shumë punëtor dhe kur u bëmë me fëmijë, edhe i ka dashur dhe i ka mësuar me rregulla.Fëmijët m’u rritën dhe deshi Zoti e mësuan në shkollë. Fshati jonë kishte shkollë të mesme dhe të pestë fëmijët e mi kanë shkëlqyer nga klasa e parë e deri në vitin e katërt të gjimnazit. Ne të dy, burrë e grua, kemi punuar pafundësisht për ata fëmijë dhe na e kanë shpërblyer. Djali i madh dhe vajza kanë mbaruar shkollën e lartë pothuajse njëkohësisht. Fakti që kishin vetëm nga një vit në mes, më qetësonte se edhe vajza kishte dikë që të kujdesej për të në Tiranë, se helbete, në konvikt do të rrinte. Djali filloi punë në fshat si kryeagronom, ndërsa vajza u martua sapo mbaroi fakultetin për mësuese Gjuhë-Letërsie. U njoh në shkollë me djalin që u martua dhe jemi të kënaqur me miqtë. Vajza ka rënë si me të vetët, edhe me njerëzit e burrit.Djali i dytë e mbaroi shkollën me korrespondencë për shkak të pamundësisë sonë ekonomike dhe e kam plagë në zemër. Nëse do të kishte shkuar në shkollë në konvikt, jeta në Tiranë do ta kishte ndryshuar për mirë edhe më shumë nga ç’e kanë ndryshuar librat që lexon pafundësisht. Edhe ai u martua dhe gruaja e tij punon si mësuese e shkollës fillore në fshat. Jetojmë bashkë dhe ia kalojmë mirë, edhe pse në shumicën e rasteve marrëdhëniet vjehrri-nuse janë të vështira. Ndërsa vajza e dytë dhe djali i tretë kanë mbaruar të dy Ekonomik dhe u martuan me dashuri. Djali është mirë me nusen dhe fëmijët e tij, por plagë në shpirt kam jetën e vajzës së dytë. Ajo mbaroi shkollën e lartë dy vite para djalit tim të vogël dhe kur ishte në shkollë, u njoh me një djalë që ishte në shkollën e fizkulturës, me të cilin u martua dhe lindi një vajzë e dy djem, derisa iku e na la. Mjekët sot thonë se sëmundja vjen nga stresi, por strese kemi kaluar të gjithë. Fati i keq i vajzës sime qe se pati zemër shumë të butë. Njeriu përballet me shumë fatkeqësi në jetë dhe vajzës sime i ra një e tillë.I shoqi pas martese punoi si mësues fizkulture në një fshat afër qytetit ku ata banonin. Në fillim, si gjithë mësuesit e tjerë, shkonin në punë me autobusë, furgona apo makina të rastit, por me kalimin e viteve ata blenë makinë dhe dhëndrri shkonte në punë me makinën e tij. Ai merrte edhe katër kolegë të tjerë dhe i ndanin shpenzimet e naftës së bashku sepse iu leverdiste të gjitha palëve. Makinën e parë ia bleu të vëllait që ia kishte sjellë nga Italia dhe pasi mësoi me të që të lëvizte në rrugë, ai bleu një tjetër më të mirë e të madhe, familjare, siç i thonë sot. Makina e dytë ishte edhe më e re dhe sigurisht, ecte më shpejt, por shpejtësia gjithmonë dikujt ia ha kokën.Një ditë shiu, ndërsa dhëndrri shkonte në punë, papritur në një kthesë i kishte dalë një çoban delesh me tufën e tij. Me siguri do kenë qenë duke folur me kolegët që ka patur në makinë, sepse nuk ka arritur të frenojë. E keqja ndodhi. Çobani që rastisi të kishte qenë djalë i ri, njëzet e pesë vjeç, vdiq. Dhëndrrin e arrestuan dhe gjykata e dënoi me pesë vite burg, por fatkeqësia nuk do të ishte burgu i tij, por mërzia me të cilën e mori. Ai ishte natyrë gazmore, por nga dita e aksidentit sikur i iku edhe humori. Gjatë kohës që ishte në burg, u tret dhe dukej si gjashtëdhjetë vjeç, ndërkohë që ishte vetëm dyzet.Vajzës sime, që ishte në shtëpi, i duhej të kujdesej për fëmijët, për të shoqin që ishte në burg, por edhe për të gjetur mënyrën për të kërkuar falje te familja e djalit që kishte vdekur. Njerëzit e dhëndrrit u mblodhën dhe tre më pleqtë bashkë me vajzën time shkuan në familjen e djalit që kishte vekur. Sigurisht, duke u përpjekur të zgjidhnin fjalët për të shprehur ngushëllimin, duhet të kërkonin edhe që hakmarrja të mos vazhdonte më tej.– Jam babai i katër djemve dhe i një vajze, – kishte thënë vjehrri i vajzës sime. – Nuk mund të them që e kuptoj dhimbjen tuaj, sepse ka dasht Zoti dhe i kam rrotull të gjithë fëmijët, por një gjë e them me siguri: djali im asgjë nuk ka bërë me dashje. Nëse për ju është zgjidhje hakmarrja, jam këtu bashkë me nusen e djalit. Mund të vrisni cilin të doni ose edhe të dyve, por ju lutem jo fëmijët e djalit. Ata nuk kanë lidhje. Ne kemi shkruar një letër dhe e kemi lënë një kopje në shtëpi e një e kemi me vete që të mos ju thonë që ishte me paramendim nga ana juaj. Nuk më del më asnjë fjalë tjetër, më thoni e më bëni ç’të doni, – kishte përfunduar.– E the mirë që nuk mund ta kuptosh dhimbjen tonë, por dua të të pyes: A kthehet mbrapsht djali im nëse të lendus ty apo nusen e djalit tënd? – tha babai i djalit që kish vdekur.– Jo, asgjë nuk e kthejmë dot mbrapsht, zotëri, – dhe lotët e tij ishin bashkuar në fund të mjekrrës.Ime bijë më tha që ata kishin biseduar për rreth tri orë dhe më në fund kur vjehrri i saj kishte kërkuar leje, ose të dilnin, ose t’i vrisnin sipas vendimit të tyre, por i zoti i shtëpisë i kishte thënë:– Më vjen keq që u njohëm në këto kushte të këqija, por do kisha pas dëshirë me të pas mik shpie. Meqë djalin s’ma kthen dot, mik shpie s’të bëj dot, por po të jap dorën e të të them “faleminderit që mendon si prind”. Unë nuk mundem të lendus njeri… Rrini të qetë se prej meje nuk ju vjen asnjë e keqe.Prej tyre me të vërtetë nuk na erdhi asgjë e keqe, por e keqja kishte ndodhur në trurin e dhëndrrit dhe të vajzës sime. Dhëndrri në burg jo vetëm u dobësua, por edhe u sëmur. Pasi mbaroi dënimin, doli me tjetër fytyrë. Ai vdiq një vit më vonë me tumor në kokë. Mjekët thanë që ishte tumor akut që zhvillohej brenda vitit. Jam e sigurt që nuk e ka përballuar dhimbjen, lendurjen e ndërgjegjes për aksidentin. E ndërsa atij ia mori jetën lendurja e ndërgjegjes, vajzës sime i ra detyrë të kujdesej për të tre fëmijët. I duhej t’i rriste vetëm dhe kjo, sigurisht që nuk është e lehtë. Sapo u mbush një vit nga vdekja e dhëndrrit, në shtëpinë e vajzës do të vinte e të këndonte qyqja.Ndërsa fëmijët luanin në oborrin e pallatit, një kri*****, ndërsa donte të lante hesapet me shokun e tij, qëlloi me një armë me breshëri dhe një plumb kapi edhe djalin e vajzës sime. Ai ishte dhjetë vjeç dhe nuk arritën as ta çonin në spital sepse vdiq në vend. Fatkeqësia u ul këmbëkryq në shtëpinë e tyre. Tashmë, ime bijë po e provonte në shpirtin e saj se ç’do të thoshte vdekje aksidentale. Ajo harroi se kishte edhe dy fëmijë të tjerë dhe tri ditë pas vdekjes së djalit të saj, piu një grusht ilaçe në darkë kur u ul të flinte dhe deri në mëngjes, kur e pamë ç’kishte ndodhur, asnjë s’u kujtua ta shihte. Ajo iku e na la dy fëmijët për t’i rritur. Djali ishte dymbëdhjetë vjeç e vajza ishte shtatë vjeçe. Nuk gjej fjalë të përshkruaj dhimbjen që kam në shpirt. Nuk do të mjaftonte një letër as sa gjithë qielli, nuk do të mjaftonin lot sa pika uji kanë oqeanet që të përshkruaj dhimbjen time.Bashkë me burrin tim, të katër fëmijët e mi dhe me të afërmit e dhëndrrit po përpiqemi të rrisim dy zogjtë që la ime bijë, po përpiqemi t’u mbushim atë boshllëk që lë mungesa e nënës. Është shumë e vështirë dhe uroj që askush të mos e provojë që prindi të përcjellë fëmijën.Askush mos e provoftë që prindi të përcjellë fëmijën në varreza